Peqin/ Goditën me mjete të forta administratorin e Njësisë Gjocaj, në kërkim 4 shtetas, 1 procedohet në gjendje të lirë

TIRANË, 11 janar/ATSH/ 4 shtetas u shpallën në kërkim dhe një u procedua në gjendje të lirë pasi goditën me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, në Peqin.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë se disa persona kanë goditur me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, shkuan menjëherë në vendngjarje.

Ata bënë shpalljen në kërkim të shtetaseve E. M., 30 vjeç, Xh. M., 23 vjeç, A. M., 32 vjeç, (vëllezër) dhe K. S., 35 vjeç, banues në Peqin dhe po vijojnë punën për kapjen e tyre.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi N. M., 61 vjeç, banues në Peqin.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në qytetin e Peqinit, për shkak të detyrës, kanë goditur me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, shtetasin B. H., 29 vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.