Rikonstruksioni i qendrës së Fierit, mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Rikonstruksioni i qendrës së qytetit dhe rehabilitimi i lumit Gjanica do të sjellë një transformim rrënjësor të qytetit të Fierit.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi u shpreh se “falë investimit që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të sigurohet një hapësirë e re urbane në shërbim të qytetarëve”.

Ai tha se ky projekt siguron “mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit”.

“Vendosja e elementëve urban është një moment po kaq i rëndësishëm sa edhe infrastruktura rrugore në qytet. Ne po punojmë për të siguruar gjelbërim, ndriçim dhe transformimin e kësaj zone”, tha ai, duke folur për ecurinë e këtij projekti.

Rehabilitimi i shtratit të lumit “Gjanica” dhe shndërrimi në një nga ambientet më të frekuentuar për qytetaret, është pjesë e projektit që po zbatohet për rikonstruksionin e qendrës së qytetit të Fierit.

Në përfundim të projektit në të dy anët e lumit, me një gjatësi prej 750 metrash, do të ketë trotuare me gurë dekorativë, skarpatet do të jenë të gjelbëruar, ndërsa janë planifikuar edhe ndërtimi i lulishteve me disa ballkone në pjesën e qendrës.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.