Programi i Rindërtimit/ Brenda vitit përfundon ndërtimi i shtëpive në fshat, qendrave shëndetësore dhe shkollave

TIRANË, 10 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj deklaroi sot se “qëllimi ynë është që deri në fund të vitit të gjitha familjet në fshat të jenë në shtëpitë e reja si dhe të jenë rikonstruktuar të gjitha qendrat shëndetësore dhe shkollat e dëmtuara, ndërsa deri në pranverë 2021 të kemi gati lagjet apo zonat e reja urbane”.

Kështu deklaroi sot ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj në një konferencë për shtyp me  ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, ku u dhanë detaje në lidhje me angazhimin e qeverisë së Turqisë për ndërtimin e 500 shtëpive të reja në zonën e Laçit.

Ahmetaj tha se i prezantoi ministrit Kurum një sërë programesh të detajuara në vendimet e Këshillit të Ministrave, në favor të rindërtimit të banesave dhe kthimit në shtëpitë e reja të qytetarëve që kanë humbur banesat.

“Sot në një takim, menjëherë më pas me bashkitë e zonave të prekura, do të diskutojmë gjithë aspektin praktik të procesit, zbatimin e programeve, grantet për rikonstruksion, bonusin e qirave, shpronësimet dhe kompensimet, procedurat e përshpejtuara të lejeve të ndërtimit dhe detyrat specifike të zyrave të rindërtimit në secilën bashki për asistencën që duhet të ofrojnë për çdo qytetar të interesuar, për platformën e aplikimit online që do të bëhet funksionale brenda javës që vjen”, – tha Ahmetaj.

Ai theksoi se “ky është një proces kompleks që po e përqasim në shumë dimensione në të njëjtën kohë, pasi nuk kemi pasur as platformë ligjore e as proceduriale të rindërtimit në një afat kohor dhe thellësi të kësaj natyre”.

“Ritheksoj se rindërtimi ka filluar. Projekti i qeverisë turke është një tjetër hap konkret që ndajmë sot me ju. Paralelisht qeveria ka përzgjedhur dhe po vlerëson sitet e tjera ku do të ndërtohen zonat e tjera urbane në Durrës, Tiranë, Kavajë, Thumanë, Krujë, Lezhë”, – tha Ahmetaj.

Ai u shpreh se “qëllimi ynë, dhe e kemi kalendarizuar të gjithë planin e hapave të mëtejshme deri rreth pranverës 2021: deri në fund të vitit të gjitha familjet në fshat të jenë në shtëpitë e reja”.

“Në të njëjtën kohë, brenda 2020 të jenë rikonstruktuar të gjitha qendrat shëndetësore dhe shkollat e dëmtuara dhe në pranverë 2021 do të shohim lagjet e reja apo zonat e reja urbane dhe akomodimin e familjeve në to”, – tha Ahmetaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.