Pasojat nga tërmeti i 26 nëntorit/ Soreca: BE mbështetje Shqipërisë për rindërtimin

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Në 17 shkurt do të zhvillohet në Bruksel konferenca e donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Lajmin e ka dhënë kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca, i cili ka theksuar se Bashkimi Europian qëndron pranë Shqipërisë.

“Konferenca e donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për rindërtim pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të vitit të kaluar do të zhvillohet në 17 shkurt 2020 në Bruksel. Bashkimi Europian qëndron pranë Shqipërisë”, ka qenë mesazhi i ambasadorit Soreca.

51 persona humbën jetën prej tërmetit të 26 nëntorit me magnitudë 6.3 Rihter sipas IGJEUM, teksa disa qindra mbetën të plagosur dhe mijëra të tjerë mbetën të pastrehë. BE akordoi fillimisht një fond prej 15 milionë eurosh për Shqipërinë, teksa tashmë pritet që Konferenca e Donatorëve në Bruksel të sigurojë fonde të tjera në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.