‘Nuk ka vend për panik”/ISHP: Vetëm një rast nga infeksioni i meningjitit, nuk ka epidemi

TIRANE, 10 janar/ATSH/-Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi sot se nuk kemi asnjë situatë epidemike në lidhje me meningjitin ose meningokoksemisë në Shqipëri.

Në një prononcim për mediet, e pyetur lidhur edhe me rastin më të fundit ku një person  humbi jetën si pasojë e meningjitit dhe me shqetësimet e krijuara për qytetarët, Bino tha se deri më tani vetëm ky rast ka rezultuar të jetë me meningjit ndërsa rastet e tjera nuk kanë të bëjnë me këtë sëmundje.

Bino theksoi se qytetarët nuk duhet të shqetësohen pasi situata është nën kontroll, duke theksuar se ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit ka më pak raste personash të prekura nga gripi.

“Raste të infektuara nga meningjiti kemi çdo vit por nuk kemi epidemi. Nuk ka asnjë vend për panik dhe shqetësim pasi nuk kemi epidemi. Infeksioni nga menigokoku është një infeksion i rëndë fatal që evoluon shumë shpejt. Kjo është arsyeja që ai person të ketë pësuar një fat të keq pavarësisht mjekimit. Janë marrë masa të caktuara. Nuk ka rrezik pasi të gjithë personat e kontaktit me këtë person kanë marrë antibiotikë”,  tha Silva Bino.

Ndërsa për rastin në Durrës, ku një grua rreth 33 vjeçe, humbi jetën ditën e djeshme si pasojë e problemeve shëndetësore Bino deklaroi se “për këtë rast mostrat kanë ardhur në ISHP dhe po analizohen nuk ka patur shenja për këtë sëmundje. Ndërkohë ne kemi vetëm një rast me meningjit. Nuk kemi të bëjmë me situatë epidemike. Personat që kanë pasur kontakt me të kanë marrë kurën përkatëse. Të gjitha rastet janë testuar  për gripin dhe kanë rezultuar negative. Situata po monitorohet”, tha Bino.

Ndërkohë si këshill për të prekurit nga sëmundjet sezonale, Bino u shpreh se të gjithë këta persona nuk duhet të neglizhojnë.

“Këshilla për qytetarët është që duhet të besojnë se Instituti po monitoron situatën në vend. Jemi në një sezon normal të gripit, kemi intensitet të ulët të gripit. Kemi qarkullim të viruseve të gripit por është e rëndësishme të dihet për ata që kanë probleme të mos neglizhojnë”, apeloi Bino.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.