Ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës, vijon puna për shembjen e ndërtesave tek “Astiri”

TIRANË, 10 janar /ATSH-A. Fortuzi/ Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vijon aksionin për prishjen e ndërtesave që prekin gjurmën e projektit të Unazës së Madhe.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit njofton se pasditen e sotme, në orën 15:30, do të shembet me shpërthim të kontrolluar një objekt 6-katësh. IKMT njofton se përreth godinës janë hapur 250 vrima, ndërsa do të përdoret edhe 10 kg lëndë plasëse që po montohen nga forcat xheniere.

“IKMT do të shembë sot në orën 15:30 me shpërthim të kontrolluar një objekt 6-katësh në zonën e “Astirit”, në gjurmën ku do të kalojë Unaza e re. Në trupin e objektit janë hapur 250 furnela (vrima) ku do të vendosen 10 kg lëndë plasëse”, thuhet në njoftimin e IKMT, teksa sqarohet se rruga në afërsi të objektit pritet të bllokohet vetëm përgjatë momenteve të prishjes së kësaj godine. Ditën e djeshme, IKMT shembi pesë ndërtesa të tjera.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.