Bardhi: Objektiv i pandryshueshëm i opozitës është largimi i qeverisë

TIRANË, 10 janar /ATSH/-“Objektiv i pandryshueshëm për opozitën është largimi i qeverisë së Edi Ramës, si mundësia e vetme për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi nga Vau i Dejës

Në lidhje me planin e opozitës për vitin 2020, Bardhi u shpreh se, “pa asnjë diskutim që objektivi gjatë vitit 2019 është i njëjti objektiv që kemi edhe për vitin 2020: largimi i qeverisë, jo si dëshirë e opozitës, por si e vetmja mundësi për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit”.

I pyetur nëse PD do t’i rikthehet protestave, bardhi theksoi se, “pa asnjë diskutim, çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë edhe protestat popullore, janë një mundësi reale për ditët në vijim”.

“Nuk ka një datë konkrete për protestë. Sigurisht, kur të ketë një datë konkrete, ne do ta bëjmë publike. Është një vendim që merret nga Kryesia e partisë. Por, unë ju garantoj, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, që është një mjet demokratik, i cili nuk përjashtohet të aplikohet në ditët e ardhshme”, tha ai.

I pyetur nëse do të marrin pjesë në reformën zgjedhore, Bardhi tha se, “ne jemi duke punuar në mënyrë intensive për reformën zgjedhore. Kemi drejt finalizimit të gjitha propozimet tona. Sigurisht, që pyetja nuk shtrohet nëse do të marrim pjesë apo jo ne. Sepse ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore. Deri në këtë moment që flasim, pala tjetër, kundërshtari ynë politik, PS, nuk ka hedhur asnjë hap, duke tentuar të vonojë realizimin e reformës zgjedhore. Ju kujtoj që realizimi i reformës zgjedhore dhe, më pas, implementimi i reformës zgjedhore, do të thotë zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare janë kërkesë e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë”.

“Ne gjykojmë që çështjet e reformës zgjedhore janë çështje të partive politike dhe jo të komisioneve brenda kuvendit monist për këtë kemi bërë një propozim. Propozimet e kaluara në atë komision parlamentar për të cilin ju i referoheni, sigurisht, që nuk zgjidhin asnjë nga shqetësimet reale që kanë zgjedhjet në Shqipëri, nuk i japin zgjidhje lidhjes së krimit me politikën, nuk i japin zgjidhje përdorimit dhe kërcënimit dhe intimidimit të punonjësve të administratës.  Pra, nuk i japin zgjidhje asnjë prej problemeve madhore që kanë zgjedhjet në Shqipëri. Ndërkohë, shumë shpejt, ne do të prezantojmë propozimet tona konkrete që adresojnë secilin prej shqetësimeve që kanë, realisht, shqiptarët dhe që pengojnë realizimin e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe demokratike në Shqipëri”, tha ai.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.