UASHINGTON – SHBA: Irani ka qëlluar gabimisht avionin ukrainas

UASHINGTON, 9 janar /ATSH-AFP/ – Irani ka qëlluar gabimishit avionin Boeing 737 të kompanisë “Ukraine International Airlines” që u rrëzua dje në Teheran, një dramë që shkaktoi 176 të vdekur, konfirmojnë disa media amerikane duke cituar burime të shërbimeve sekrete amerikane.

Stacionet televizive CNN dhe CBS dhe revista Newsweek citojnë zyrtarët, nën mbulimin e anonimatit, që shprehen të bindur se mbrojtja anti-ajrore e Teheranit ka rrëzuar avionit PS752 d’UIA menjëherë pas nisjes.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump shprehu dyshimet e tij mbi shkaqet e rrëzimit të një Boeing-u në Iran, ndërkohë që mediat dhe zyrtarët amerikanë janë të bindur se avioni është sulmuar gabimisht.

“Kam dyshimet e mia”, deklaroi Trump, i pyetur për shkaqet e rrëzimit të këtij avioni të linjës ukrainase pranë Teheranit, ku si pasojë humbën jetën 176 persona.

“Ndjej se diçka e tmerrshme ka ndodhur”, shtoi ai në një konferencë shtypi me gazetarët e Shtëpisë së Bardhë.

Katastrofa ndodhi pak pas lëshimit të raketave nga ana e Teheranit në bazat e përdorura nga ushtria amerikane në Irak.

Autoritetet iraniane konfirmuan sot se “zërat”, sipas të cilave avioni ishte sulmuar nga një raketë, nuk kishin asnjë kuptim.

Rreth pesëdhjetë ekspertë ukrainas mbërritën sot  Teheran për të marrë pjesë në hetim dhe veçanërisht në deshifrimin e kutive të zeza të Boeing-ut.

Boeingu i kompanisë “Ukraine International Airlines” (UIA) u nis dje nga Teherani në drejtim të Kievit para se të rrëzohej dy minuta më pas duke shkaktuar vdekjen e 176 personave në bord, kryesisht iranianë dhe kanadezë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.