Programi i Ujësjellësave Ruralë III/ Realizohen 57% e punimeve në Tomin, Dibër

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Fondi Shqiptar i Zhvillimit po vijon zbatimin e investimeve për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme për furnizimin me ujë në të gjitha zonat e vendit.

Aktualisht, janë realizuar 57% e punimeve për skemën e ujësjellësit në Njësinë Administrative Tomin, bashkia Dibër e cila vjen në ndihmë direkte për banorët e fshatrave; Dohoshisht, Çetush, Pollozhan dhe Tomin.

FSHZH njoftoi se po vijon montimi i pusetave shpërndarëse, provat me rezervuarët dhe vendosja e linjave të furnizimit nëpër banesa.

Programi i Ujësjellësave Ruralë III, ka një shpërndarje gjeografike nga veriu në jug, me synimin kryesor furnizimin pa ndërprerje me ujë të pastër higjenikisht dhe me tarifa të pranueshme nga komuniteti.

Ky program financohet nga KfW, IPA 2013, WBIF dhe qeveria shqiptare për të përmirësuar kushtet bazë të jetesës, në zonat rurale të përfshira në program./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.