Negociatat/Holanda:Tirana e Shkupi hapa pozitivë, mbështetje në procesin e reformave

KAARST, 9 janar /ATSH/ – Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë reale për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe mbështetja e Holandës për këtë objektiv është e palëkundur, deklaroi ministri holandez i Punëve të Jashtme, Stephanus Bloc në një intervistë për faqen në internet “Faces of Democracy”.

“Ne e mirëpresim progresin e arritur nga të dyja vendet”, theksoi ai. “Maqedonia e Veriut ka bërë shumë progres përsa i përket reformave për sundimin e ligjit. Dhe marrëveshja e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut është një shembull për rajonin. Ne kemi mirëpritur hapat pozitivë të ndërmarra nga Shqipëria”, theksoi ai.

“Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurëve është një arritje e madhe. Ka pasur reforma të rëndësishme juridike, ndërkohë që janë krijuar edhe institucione të reja të drejtësisë. Megjithatë, para se të hapë negociatat e anëtarësimit, Shqipëria duhet të tregojë angazhim të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shtoi ai në intervistën për faqen në internet “Faces of Democracy”.

“Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar dy vendet në procesin e reformave”, shtoi ai.

“Këshilli Europian do t’i rikthehet kësaj çështjeje para samitit të Ballkanit Perëndimor në maj 2020. Ashtu si më parë, ne do të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në përpjekjet e tyre për të ecur përpara drejt një të ardhmeje në BE. Periudha në vijim mund të shfrytëzohet për reforma të mëtejshme të sundimit të ligjit. Të dy qeveritë kanë njoftuar se synojnë të vazhdojnë këto reforma. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë të dy vendet në proceset e tyre të reformave të vazhdueshme”, nënvizoi ministri holandez i Punëve të Jashtme, Stephanus Bloc./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.