Kryesimi i OSBE/ Xhafaj: Vitrinë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së

TIRANË, 9 janar/ATSH-A. Fortuzi/ Marrja e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria është një vitrinë e rëndësishme për diplomacinë shqiptare dhe vendin tonë në tërësi, dhe për sa i takon rrugës drejt Bashkimit Europian.

Etjen Xhafaj, zv.ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë një interviste televizive tha se vendi ynë është gati ta përballojë me sukses këtë sfidë.

“Së pari, kjo është një vitrinë për diplomacinë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Njohja e rolit dhe aktiviteti i Shqipërisë do ketë një impakt te partnerët dhe në nivel shumëpalësh, dhe në nivelin dypalësh. Ne do të kemi mundësi të promovojmë vlerat tona, siç është angazhimi që u mor sot nga Kryeministri Rama për t’u përfshirë më shumë në zgjidhjen e konflikteve përmes mekanizmave të negocimit. Kjo tregon dhe promovon një nga vlerat e vendit tonë, atë të bashkëjetesës fetare, si pjesë të kulturës sonë si shqiptarë, dhe që do të ketë efekt pozitiv në arenën ndërkombëtare”, – tha Xhafaj.

“Pra, do përmirësohet edhe më tej imazhi i Shqipërisë, veçanërisht te vendet skeptike. Puna për hapjen e negociatave dhe diskutimi me të gjithë vendet që ishin skeptike dhe diskutimi me vendet aleate që kanë promovuar dhe mbështesin hapjen e negociatave dhe realizimin prioriteteve të Budenstagut do të vijojnë dhe me objektivin për hapjen sa më shpejt të negociatave, për të mbërritur te një nivel i ri diskutimi, pasi më pas nis përgatitja për anëtarësimin në BE”, – nënvizoi Xhafaj.

“E rëndësishme është që 56 vendet e tjera pjesëmarrëse mbështesin Shqipërinë për të çuar përpara të gjitha proceset e rëndësishme të organizatës. Skepticizmi është shumë i rëndësishëm, ashtu siç është edhe dialogu, që ndihmon skeptikët për të tejkaluar këtë skepticizëm”, – tha më tej Xhafaj.

Ministri Xhafaj theksoi se buxheti i alokuar nga vendi ynë për sfidën e kryesimit të OSBE lidhet me shpenzimet për konferenca apo transport.

“Së pari, të gjithë vendet anëtare konsumojnë në buxhetin e organizatës. Së dyti, buxheti që po flasim ne, lidhet me buxhetin e kryesisë dhe ky buxhet është i lidhur me tre zëra kryesorë. Së pari, shpenzimet për konferenca të ndryshme, siç është ajo që do të zhvillohet në shkurt në vendin tonë apo dhe aktivitete të tjera në Vjenë.

Zëri dytë lidhet me transportin, pasi ka një ushtrim tejet aktiv të diplomacisë, duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me vendet në krizë dhe vendet anëtare. Dhe e treta lidhet me Konferencën ndërministriale, që është përmbyllëse e punës 1-vjeçare, ku diskutohet ecuria e vitit dhe ku vendosen edhe piketat për vitin pasardhës. Për dy zërat e parë është alokuar buxheti i nevojshëm nga Buxheti i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Ky buxhet do të monitorohet dhe do të ketë një rivlerësim në fund të gjashtëmujorit të parë”, – shtoi zv/ministri.

Ai garantoi se, “nuk ka asnjë shans që kjo sfidë të mos shkojë mirë nga ana e angazhimit tonë financiar. Ne me kryesimin e OSBE kemi bërë një hap përpara dhe shpresojmë të materializohet edhe me kandidaturën tonë për të qenë anëtar permanent i Këshillit të Sigurisë për periudhën 2022-2023 duke ndryshuar nivelin e përfaqësimit diplomatik të vendit tonë. Jemi gati për këtë sfidë!” – theksoi Xhafaj.

Zv.ministri tha se “në këtë angazhim janë diplomatët më të mirë që ne kemi. Ka dhe shumë elementë të rinj që janë bërë pjesë e skuadrës sonë dhe nuk diskutohet që niveli i përfaqësimit është ai i duhuri”.

Duke folur për Paketën Antishpifje, Xhafaj tha se bashkëpunimi me OSBE-në është në nivel ekspertësh.

“OSBE-ja është një organizatë shumëpalëshe dhe nuk ka asnjë shans që vendi që merr kryesimin të imponojë vullnetin e tij mbi 56 anëtarët e tjerë. Ka një strukturë burokratike të mirëvendosur dhe ka një kryesues të nivelit politik që vendos prioritete. Në këtë drejtim kemi mbi 1 vit që diskutojmë me të gjithë partnerët për Paketën Antishpifje dhe ka shumë vende që janë shumë dakord me paketën dhe ka disa çështje teknike që lidhen me rolin specifik të OSBE-së, për të cilën mbetemi të hapur për diskutim”, – u shpreh Xhafaj.

Ai shtoi se, “është një tryezë ku 57 vende diskutojnë dhe asnjëri nuk është 100% dakord me të gjitha dhe s’ka asgjë perfekte dhe absolute. Është diçka në diskutim dhe në nivel ekspertësh. Sa i takon paketës janë ekspertët respektivë që duhet ta diskutojnë dhe komisionet parlamentare përkatëse kanë marrë nga OSBE edhe opinionet e ekspertëve lidhur me këtë çështje”.

Lidhur me krizën në Krime, Ukrainë, zv.ministri Xhafaj u shpreh se qëndrimi i vendit tonë është në një linjë me atë të SHBA dhe BE.

“Ne kemi pasur për krizën e Ukrainës disa qëndrime, që janë të koordinuara me qëndrimet e politikës së jashtme të BE dhe aleatit tonë strategjik SHBA dhe këto qëndrime nuk preken nga roli jonë si kryesues të OSBE. Ajo që jemi të angazhuar është që mbështesim misionin e monitorimit special në terren, që ka bërë një punë të rëndësishme për zbutjen e konfliktit dhe problematikave imediate që ka pasur atje. Do ketë dhe një përfaqësi që do të hapet në Ukrainë, për të qenë sa më pranë zonës dhe për të ndërtuar një dialog për tejkalimin e problematikave atje”, – tha Xhafaj.

Lidhur me angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme dhe tensionit me Iranin, Xhafaj tha se risqet e Shqipërisë janë pjesë e angazhimeve tona në NATO.

“Kërcënimi për vendin tonë është pjesë e angazhimeve tona në NATO dhe mbi të gjitha me SHBA, që po lufton ekstremizmin e dhunshëm dhe sidomos terrorizmin në ato zona ku ka tension dhe ku ne kemi pasur dhe angazhim të ushtrisë shqiptare”, – tha Xhafaj.

Sigurisht që kjo ka një risk me vete. Në këtë drejtim, në pamundësi për të mbështetur financiarisht apo ushtarakisht luftën, ne kemi marrë angazhimin për të strehuar e mirëpritur një pjesë të opozitës iraniane në kampin që ato kanë aktualisht. Jemi treguar me gisht nga Irani si një vend malinj me ta. Ne jemi të qartë se jemi në krahun e duhur të historisë, jemi të rrethuar nga aleatët tanë dhe jemi në bashkëpunim me aleatët tanë për të ofruar sigurinë e tyre dhe të shtetasve shqiptarë”, – garantoi Xhafaj.

Ai pranoi se “ka një risk të rritur për të gjithë vendet që janë pjesë e aleancës së NATO-s dhe reagimi i vendeve të tjera të aleancës ka qenë në njëfarë mënyre disi e zbehtë, por ne jemi të vendosur në aleancën tonë me SHBA”.

Deklarata e liderit të Iranit është tipike politike, ku çdo anë thotë se ne jemi të mirët dhe ata janë të këqinjtë. Por ne kemi bindjen se jemi në anën e duhur të historisë dhe jemi tërësisht jo vetëm në qëndrim të prioriteteve tona politike, por kemi qenë tmerrësisht të drejtë. Ne s’kemi bërë asnjëherë tentativa për të realizuar ndërhyrje në vende të tjera, ashtu siç ka ndodhur një tentativë për ndërhyrje jo më larg se një vit më parë dhe ku u shpall nga vendi ynë non grata ambasadori i Iranit”, – tha Xhafaj.

“Tani jemi në një periudhë konflikti, shumica e vendeve të tjera po flasin për Luftën e 3-të Botërore, nuk po flasin për nota proteste. Qëndrimi ynë në lidhje me Iranin dhe problemet kryesore që kanë shkaktuar edhe reagimin e SHBA është i njohur dhe i kemi qëndruar në vijimësi. Ajo që kemi parë nga presidenti Trump dhe kundërreagimi i Iranit, duket se kemi një shfryrje. Masat janë aty duke qenë se jemi pjesë e NATO-s, që po lufton aktivisht në Irak e Afganistan dhe si pasojë e këtij angazhimi ka një risk dhe ne po përballemi në bashkëpunim me aleatët”, – përfundoi Xhafaj. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.