Basha në Itali: Shqipëria vend tërheqës për investimet e huaja

TIRANË, 9 janar /ATSH – A. Fortuzi/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar të enjten një takim me investitorë italianë, të cilëve u ka prezantuar planin e PD për zhvillimin ekonomik.

“Sot u takova me drejtues të suksesshëm të industrisë, infrastrukturës, dhe logjistikës, në rajonin e Friuli-Venezia-Giulia. I informova për planin tonë ekonomik, i cili nis me çlirimin e tregut nga krimi, nga oligarkia dhe korrupsioni si dhe nga burokracia”, bën të ditur Basha.

“Përmes politikave ekonomike dhe lehtësirave për të bërë biznes, do ta kthejmë Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja, konkurrues me çdo vend tjetër në rajon. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, janë prioriteti kryesor i PD. Investimet e huaja janë jetike për rritjen e punësimit dhe zhvillimin e ekonomisë”, vijon Basha.

“Plani ynë ekonomik ka një fokus të rëndësishëm në këtë drejtim. Por, së pari, duhet garantuar konkurrenca e ndershme dhe luftuar korrupsioni, që sot i mban investitorët larg vendit tonë”, përfundon Basha. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.