Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Inter” pranë firmës me Ashley Young

TIRANË, 8 janar /ATSH/ -Në pritje të Arturo Vidal e Christian Eriksen, Interi është shumë pranë afrimit të parë në merkaton e dimirit.

Sipas medieve në Itali, Ashley Young është vetëm një hap larg zikaltërve. 34-vjeçari e ka gjetur marrëveshjen në planin personal, për një kontratë e cila do të zgjasë deri në verën e vitit 2021, dhe tashmë pritet vetëm “ok” i Manchester United.

Klubi anglez nuk e ka luksin të pretendojë shifra të ekzagjeruara për kapitenin, në radhë të parë për shkak se kontrata e tij me United përfundon në fund të sezonit, por edhe sepse Young nuk është një lojtar në pranverën e karrierës së tij.

Interi prej kohësh po kërkon lojtarë të aftë në krahët e mbrojtjes e mesfushës dhe, duke qenë se Marcos Alonso kushton shumë, e ka kthyer krejtësisht vështrimin nga lojtari i përfaqësueses angleze, i cili e ka treguar tashmë gatishmërinë e tij për t’u transferuar në Milano, ndërsa Conte mund ta përdorë si në të majtë ashtu edhe në të djathtë.

/gj.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version