52 shërbime të Kadastrës online, Lame: Eliminojmë radhët, burokracitë dhe korrupsionin

TIRANË, 8 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Agjencia Shqiptare e Kadastrës do të ofrojë 52 shërbime online nga 472 shërbime në total që ofron momentalisht, duke eliminuar radhët, burokracitë dhe korrupsionin.

Artan Lame, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kadastrës Shqiptare ka nënvizuar të enjten, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Dhomën e Noterëve, se në fund të janarit do të jetë gati edhe ligji i ri i Kadastrës.

“Qeveria eci tre ditë më përpara, pasi aplikimet online filluan që në datë 6 janar. Bashkëpunimi ynë në këtë fushë ka dy risi; e para aplikimet online dhe akti i sotëm për marrëveshjen mes dy institucioneve. Vonesat e tre dekadave të fundit i dimë shumë mirë, jo të javëve të fundit, apo muajve e viteve të fundit, por tre dekadave të fundit, prandaj do të garantojmë shpejtësi, saktësi dhe pastërti në shërbim”-, theksoi Lame.

“Një pjesë e mirë e këtij misioni, për pjesën e shërbimit është marrëveshja e sotme, duke punuar të dy palët në sistem, pra nga sot jemi në gjendje që pa pasur nevojën e mjetit të stërlashtë, postës, apo këmbët e qytetarit, tani gjithçka operon mes nesh për ato shërbime direkte në sistem që i nevojiten qytetarit, pa u endur sa andej këndej. Qytetari paraqitet te sporteli ynë apo i noterit dhe janë institucionet që operojnë me njëri tjetrin dhe i japin përgjigje qytetarëve. Për saktësinë, më shumë është barra jonë, e Kadastrës me gjithë problemet e saj të mbartura në këto 100 vite të shtetit”-, theksoi Lame.

“Edhe e treta, është pastërtia në shërbime, për zhdukjen e sistemit të shushunjave, që rrethon institucionet tona. Ushtrinë e sekserëve që mbijetojnë duke gjetur aty ku çalon sistemi hapësira për të përfituar”-, vijoi Lame.

“Kjo marrëveshje zhduk një pjesë të mirë të kësaj, pjesën tjetër e zhdukin aplikimet online. Aty ku qytetarët kanë vështirësi, pasi edhe unë si drejtor, kur u ula të hap një llogari timen në e-Albania para disa muajsh m’u deshën disa minuta dhe është normale që shumë njerëz të parrahur me këto gjëra e kanë të vështirë. Epokën e Gutenbergut e respektojmë por jemi në epokën e Bill Gates”, tha ai.

Lame theksoi se në fund të janarit shpreson që të kalojë ligji për pronat. “Shpresoj që brenda fundit të janarit të kalojë edhe ligji për proceset tranzitore të pronësisë, që na hap një fushë të re bashkëpunimi me të gjitha institucionet shtetërore, por edhe një masë të paparë pune mbi vetë Kadastrën. Ligji është në proces diskutimi pas vërejtjeve nga Komisioni i Venecias. Miratimi i ligjit hap fushë për riformatimin e legalizimeve të mbetura, regjistrimin e tokës bujqësore për të mbyllur kapitullin e 7501”, përfundoi ai.

Drejtoresha e Dhomës së Noterëve Mimoza Sadushaj shpjegoi se shkëmbimi i të dhënave në kohë reale do të zhdukë korrupsionin. “Dhoma kombëtare ka tre vite që po punon për qasjen dixhitale dhe sot kemi nderin të aplikojmë me anë të marrëveshjes së parë. Jo më shërbime preferenciale duke garantuar barazi për qytetarët.

Të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale duke zhdukur korrupsionin. Kjo marrëveshje firmoset, kur është vënë në jetë shërbimi online për veprimet e hartimit të kontratës dhe firmosjes elektronike nga noteri dhe dërgimi i aplikimit në formë dixhitale te Kadastra për procesim të mëtejshëm në formë elektronike”-. tha Sadushi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.