Rritet fondi për bonusin e qirasë për banorët e Durrësit, Voda: Zbusim disbalancën e tregut

TIRANË, 7 janar/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda deklaroi sot se “fondi për bonusin e qirasë për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të rritet vetëm për Durrësin”.

E ftuar në një studio televizive, ajo tha se “Bashkia e Tiranës është e vetmja që kishte buxhet për të shpërndarë bonusin e qirasë, ndërsa për Qarkun e Durrësit ka qenë fondi rezervë i buxhetit të shtetit”.

Voda tha se “deri në fund të vitit 2019, për bonusin e qirasë, iu akordua Qarkut Durrës 50 milionë lekë të reja”.

“Për vitin 2020 besoj se do të ketë një rishikim të këtij fondi dhe besoj që patjetër do të jetë edhe më i madh, se ne duan që të gjithë njerëzit që do të lënë strukturat hoteliere të marrin bonusin e qirasë dhe të largohen. Kjo bëhet për të zbutur këtë disbalancë të tregut, sepse është ngritur ky shqetësim nga qytetarët”, – u shpreh Voda.

Zv/ministrja theksoi po ashtu se “është eliminuar kriteri i pajisjes me kontratë qiraje për të marrë bonusin dhe ne kemi balancuar me këtë masë, kërkesë-ofertën që është në treg për momentin”.

Ajo theksoi se “reagimi i të gjitha strukturave shtetërore pas tërmetit të 26 nëntorit ishte i menjëhershëm”.

“Unë kam qenë vetë në krye të Shtabit të Emergjencave të Qarkut Durrës dhe e kam prekur vetë edhe terrenin, por kam parë vetë me sytë e mi ndërveprimin dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të të gjitha institucioneve shtetërore për të qenë pranë qytetarëve. Sfida e parë për ne ishte ajo e operacioneve të kërkim-shpëtimit, më pas akomodimi afatshkurtër i njerëzve dhe tani kemi planin afatgjatë për të zgjidhur çështjen e strehimit për qytetarët e dëmtuar”, – tha Voda.

Voda tha se, “fokusi kryesor ka qenë te verifikimet në terren. Mund të ketë qytetarë që ende presin, por vazhdojnë grupet e verifikimit në terren edhe sot që ne flasim. Puna nuk është ndalur edhe pse ne kemi një panoramë të qartë pak a shumë, sepse mbi 40% e të gjitha banesave në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti rezulton e verifikuar nga grupet e inxhinierëve, dhe nuk është pak”.

Voda tha se “verifikimi i parë është bërë sipas formularit të standardizuar në bazë të procedurave dhe formatit standard të BE-së, Kombeve të Bashkuara dhe BB”.

“Janë vlerësuar banesat të kategorizuara në 5 nivele dëmtimi. Për ato banesa të dëmtuara shumë rëndë, patjetër që do të ketë një verifikim më të hollësishëm. Do të ketë grupe verifikimi në terren sërish në bazë edhe të akteve të qeverisë që kaluan dje. Këto akte normojnë të gjithë këtë proces të vlerësimit në këtë fazë të dytë, ku do të bëhet edhe mënyra se si do të ndahen grantet apo fondet për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara”, – përfundoi Voda. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.