Rindërtimi pas tërmetit/ Çuçi: 67 aplikime për leje ndërtimi në bashkinë e Durrësit, 47 të miratuara

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Zv.ministrja e Turizmit dhe koordinatorja e Durrësit për strehimin pas tërmetit, Ornela Çuçi deklaroi se deri tani janë inspektuar 42 365 objekte në të tre qarqet e vendit të prekur nga tërmeti.

E ftuar në një studio televizive, Çuçi tha se “raportohet se deri dje në darkë janë të inspektuara 42 365 objekte në të tre qarqet, në Durrës, në Tiranë edhe në Lezhë në nivel qarku. Nga këto 30 mijë e treqind e dyzet janë inspektuar në qarkun Durrës, 2 001 objekte të inspektuara në qarkun Lezhë dhe 10 024 objekte të inspektuara në qarkun Tiranë. Në të gjitha këto, dëmtimet e rënda përcaktohet për 3 971 objekte që janë të dy kategorive, DS4 dhe DS5. DS5 është rasti kur ato shemben ose kanë rikonstruksione të thellësishme dhe DS4 konsiderohen si objekte të pabanueshme”.

Ajo shpjegoi se për qytetarët që janë pjesë e këtyre dy kategorive, është vënë në dispozicion bonusi i qirasë.

“Për të gjithë këta qytetarë që janë konsideruar në këto dy kategori është vëmë në dispozicion bonusi i qirasë. Do të doja të specifikoja që në total deri në këto moment vetëm në qarkun e Durrësit janë bërë 4 130 aplikime për bonus, nga të cilat 3 863 janë miratuar në këshillin bashkiak bonuse, familje të cilat përfitojnë bonusin e qirasë. Edhe për ato familje që kanë nevojë për kohë, në mënyrë që të rregullohen banesat e tyre, deri në momentin që të hyjnë në shtëpinë e tyre, kanë aplikuar për bonus dhe kanë përfituar”, -tha ndër të tjera ajo.

Referuar shifrave të bëra publike nga zv.ministrja, janë shpërndarë mbi 5 mijë çadra në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, të cilët nuk kanë dashur të shkojnë në hotele apo të marrin bonus qiraje.

Zv.ministrja sqaroi edhe procedurën që kryhet online për të aplikuar për bonus.
“Aplikimi online është aktualisht për ata banorë, persona që do të duhet të futen në listën e madhe të banorëve që do të duhet të ringrihet shtëpia e tyre, pra të konstruktohet, rikonstruktohet ose të vendoset për një banesë tjetër. Këta duhet të aplikojnë online. Aplikimi online ndodh sot për të gjithë banorët që e kanë mundësinë të përdorin telefonin apo kompjuterin dhe ta kryejnë procedurën në kohë reale. Për ata që nuk e dinë se si ta kryejnë procedurën, në çdo sportel të çdo bashkie në të tre qarqet që janë prekur nga tërmeti, ka sportelistë të cilët e sqarojnë banorin nga A deri në ZH për të gjithë procedurën dhe e ndihmojnë ta përfundojnë procedurën në kohë reale”, – theksoi Çuçi.

Ndërkaq, ajo shtoi se “në rastin e bashkisë së Durrësit, aktualisht janë bërë 67 leje ndërtimi nga të cilat 47 janë të përfunduara tashmë, 20 prej tyre janë në shqyrtim dhe flasim për leje ndërtimi, ku qytetarët kanë marrë përsipër ta rindërtojnë vetë banesën e tyre, kanë aplikuar, kanë marrë leje në kohë reale dhe gjithçka ka përfunduar./z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.