Lagje e re në Tiranë/ Do ndërtohet në Vaqarr për të pastrehët e tërmetit

TIRANË, 7 janar/ATSH/- Banorë të Vaqarrit, Kombinatit dhe rrethinave, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti do të vendosen në një rezidencë me vileta njëkatëshe, e cila do të nisë të ndërtohet për pak ditë.

Kështu informoi sot drejtoresha e projektimit në bashkinë e Tiranës, Nevin Bilali.

Përveç shërbimeve të ndryshme sociale dhe terreneve sportive në Vaqarr, ngjitur me shkollën ekzistuese, do të ndërtohet edhe një shkollë 9-vjeçare. Në këtë rezidencë kanë konfirmuar 22 familjet e para që do të zhvendosen për të jetuar, por numri i viletave që do të ndërtohen pritet të jetë 50.

“Ne jemi përpjekur në organizimin e kësaj rezidence që të respektojmë akoma këtë psikologji dhe këtë mënyrë jetese të personave që do të vijnë, duke mos e cenuar hapësirën e tyre. Është shumë e vështirë që ti nga një shtëpi private me oborr, të shkosh në një pallat apo në një rezidencë që je ngjitur me njerëzit. Kështu që ne jemi përpjekur që të ruajmë parcela, hapësira ndërmjet shtëpive, që të vazhdojmë të ruajmë mënyrën e jetesës së tyre”, tha ajo.

Kjo lagje e re përveç se do të jetë model në infrastrukturë, do t’i mundësohet edhe aksesi në transportin publik, duke shtuar një stacion për linjën e autobusit të Kombinatit. Duke qenë shtëpi prej druri, ndërtimi i tyre nuk vonon në kohë.

“Kjo prishje mbaron brenda pak ditësh dhe pastrimi i të gjithë terrenit. Në bashkëpunim me OSHEE-në dhe UKT-në do të vazhdohet infrastruktura nëntokësore, sepse patjetër të gjitha modulet e shtëpive do të kenë infrastrukturën e vet”, theksoi Bilali.

Banorët e Pezë-Helmësit apo fshatrave përreth tanimë kanë një mundësi të mirë jo vetëm për të shkolluar fëmijët e tyre, por edhe për punësimin e të rinjve. /m.m/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.