Reshjet e dëborës/ Prefekti Kuçana për ATSH-në: Akset rrugore të qarkut Kukës të kalueshme, kripë aty ku është e nevojshme

TIRANË,6 janar /ATSH – I. Vata/- Prefekti i qarkut Kukës, Zenel Kuçana tha sot për ATSH-në se të gjitha akset rrugore në Qarkun e Kukësit janë të kalueshme normalisht.

Kuçana tha se situata pas reshjeve të borës në Qarkun Kukës është e qetë.

“Gjendja e rrugëve nacionale në qarkun Kukës është e mirë, të gjitha rrugët janë të kalueshme normalisht. Nga firmat kontraktore që kanë në performancë rrugët nacionale Kukës po punohet për  mbajtjen në gjendje normale dhe të qarkullueshme duke kryer punët e duhura dhe hedhje kripe në segmentet ku është parë e nevojshme”, tha ai.

Kuçana shtoi se dhe rrugët rurale janë të gjitha të kalueshme në të gjithë qarkun Kukës.

“Nga përgjegjësit e Emergjencat Civile  të bashkive situata e rrugëve rurale është normale, të gjitha rrugët janë të kalueshme”, tha ai.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.