Nis aplikimi online për bonus qiraje/ Çuçi: 3006 banorë të strehuar në hotele

TIRANË, 6 janar /ATSH/ – Zv. ministrja e Turizmit, Ornela Çuçi, koordinatore për Durrësin për çështjen e strehimit të banorëve të prekur nga tërmeti deklaroi sot në një intervistë televizive se aktualisht numri i banorëve të strehuar në hotele është 3006, nga 4200 që ka qenë në fillim.

Çuçi tha se, sot ka nisur edhe aplikimi online i banorëve të dëmtuar nga tërmeti, dhe se janë regjistruar 60 aplikantët e parë pa ndihmën e sporteleve, ndërkohë që shumë të tjerë vijojnë regjistrimin në asistencën e një punonjësi të bashkisë.

Ajo deklaroi se në disa zona të prekura nga tërmeti banorët, pronarët e pallateve kanë filluar rindërtimin e banesave të dëmtuara, me një leje të thjeshtë pranë pushtetit lokal.

“Aktualisht vijojnë të jenë ende 3006 banorë nëpër hotele. Kjo është shifra e fundit. Një pjesë e madhe kanë marrë bonusin e qirasë dhe janë vendosur në ato ambiente derisa të jenë gati shtëpitë e tyre. 5800 banorë janë në çadra. Një pjesë e tyre nuk duan të largohen nga vendet e tyre, nuk duan të shkojnë larg pronës dhe çadrat i janë vendosur shumë afër. Në Manëz kemi 200 çadra dhe në Ishëm 250 çadra”, theksoi Çuçi.

Sot, shtoi zv/ministrja, “60 banorët e parë kanë bërë aplikimet online pa ndihmën e sporteleve ndërkohë që ka pasur shumë të tjerë që kanë kërkuar edhe ndihmën e sporteleve. Në Durrës janë 1310 familje që kanë kërkuar të marrin bonusin e qirasë. Bonusi merret edhe nëse nuk ka një kontratë qiraje. Janë tre bonuse 1-3 anëtarë me 200 mijë lekë të vjetra 3-5 250 mijë lekë dhe mbi 5 persona 300 mijë lekë”.

“Banorët kur marrin bonusin e qirasë akomodohen në banesa me qira. Qytetarëve i është ofruar bonusi i qirasë. Nga dita në ditë numri i banorëve nëpër hotele po ulet. Kanë qenë 4200 dhe tani janë 3006. Kjo tregon se bonusi i qirave ka funksionuar”, nënvizoi Çuçi.

“Në zonën e Ishmit ka banesa që janë drejt përfundimit, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti i parë. Ka qytetarë që me një leje të thjeshtë kanë filluar riparimet e shtëpive të tyre. Ka pasur raste kur pronarët e pallateve kanë marrë përsipër vetë rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti”, tha Çuçi.

“Komisioni i Rindërtimit po punon përcaktimin e zonave se ku do ndërtohet. Ka pallate dhe shtëpi që janë përcaktuar nëse banesa e tyre do të ndërtohet në një zonë të caktuar “, u shpreh Çuçi.

/gj.mima//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.