Në Shqipëri operojnë 31 subjekte financiare jobanka

TIRANË, 6 janar /ATSH/- Në fund të vitit 2019, arriti në 31 numri i subjekteve financiare jobanka që operojnë në vend, sipas raportit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Dhënia e licencave të reja gjatë vitit të fundit konsistoi në rilicencimin, por edhe në miratimin e subjekteve financiare të reja.

Subjektet financiare jobanka janë institucione financiare, që ushtrojnë veprimtaritë financiare të përcaktuara në kuadrin ligjor dhe rregullativ, të tilla si: kredidhënia, mikrokredia, faktoringu, qiraja financiare, shërbimi i pagesave dhe i transferimit të parave, emetimi i parasë elektronike, këmbimi valutor, etj.

Ndërkohë që subjektet financiare jobanka janë të grupuara sipas aktiviteteve financiare kryesore për të cilat janë licencuar, sipas BSH, që klasifikohen në: Institucione që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “kredidhënies”; të “mikrokredisë”; të “qirasë financiare”; të “ofrimit të shërbimit të pagesave dhe transferimit të parave”, etj. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.