Foto/ Nga zhvillimi urban deri tek krijimi i tregjeve, investimet e 2020 për bashkinë e Patosit

TIRANË, 6 Janar/ATSH/Vitin e kaluar bashkia e Patosit kreu një sërë investimesh të rëndësishme në infrastrukturë por jo vetëm ndërsa këtë viti buxheti do të fokusohet në zhvillimin urban nëpërmjet përmirësimit të aksesit rrugor.

Specialistët e bashkisë së Patosit kanë vlerësuar investimet e rëndësishme të kryera në infrastrukturë, shërbime dhe projekte kulturore e sociale.

“Kemi lënë pas një vit të realizuar me investime të rëndësishme në infrastrukturë, shërbime dhe projekte kulturore dhe sociale. Duke pasur në qendër të vëmendjes interesin publik, jemi përpjekur të planifikojmë fondet e nevojshme për të nxitur zhvillimin ekonomik vendor nëpërmjet investimeve publike. Ju sjellim në vëmendje rikonstruksionin e rrugës “Koli Marku”, rikonstruksionin e shkollës “Meleq Gostnishti”, Banesat Sociale për 16 familje në nevojë, “One-Stop-Shop” Bashkia Patos, nisjen e punimeve në shkollën “Mustafa Matohiti”, hapja e kanaleve kullues dhe vaditës në 90% të territorit të njësive administrative, nisja e punimeve për ndërtimin e kopshtit dhe qendrës shëndetësore në Sheqishte, hapja e rrugëve të reja në njësinë Ruzhdie, shtrimi i rrugëve të brendshme me rërë bituminoze etj, zhvillimi i qindra aktiviteteve social-kulturore që gjallëruan jo vetëm jetën artistiko-kulturore por që janë vlerësuar për performancën e tyre dhe ndikimin që kanë pasur në komunitet”, -shprehen specialistët e bashkisë.

Me buxhetin e vitit 2020, objektivat e bashkisë Patos janë fokusuar në zhvillimin urban nëpërmjet përmirësimit të aksesit rrugor, rehabilitimin e infrastrukturës së ujit, integrimi i vazhdueshëm i njësive administrative si dhe mbështetje për krijimin e tregjeve. Ndërkaq, kjo bashki do të investojë në ndërtim e mirëmbajtje ujërave të zeza, mbrojtje Mjedisi dhe gjelbërim i qytetit si dhe zhvillimin social-ekonomik duke mbështetur biznesin dhe duke rigjallëruar jetën kulturore.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.