FOKUS – Trump kërcënon Iranin me kundërpërgjigje dhe Irakun me sanksione

UASHINGTON, 6 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi Iranin për “kundërpërgjigje të rëndë” në rast sulmi iranian kundër interesave amerikane në Lindjen e Mesme dhe Irakun për sanksione, pas një votimi në Parlament që kërkonte largimin e trupave amerikane nga vendi.

Që prej vdekjes, në një sulm amerikan në Bagdad, së gjeneralit të plotfuqishëm iranian, Qassem Soleimani, bota i trembet një përshkallëzimi të situatës, madje edhe ndonjë shpërthimi.

Donald Trump kërcënoi dhe Irakun me sanksione shumë të forta nëse trupat amerikane detyrohen të largohen nga vendi, pas votimit të Parlamentit irakian për të kërkuar dëbimin e tyre.

“Nëse ata na kërkojnë të largohemi, nëse ne nuk e bëjmë këtë në një bazë shumë miqësore, ne do t’u vendosim atyre sanksione si ato që nuk i kanë parë kurrë më parë”, deklaroi presidenti amerikan në bordin e “Air Force One” gjatë rikthimit nga Florida ku ishte me pushime.

“Ne kemi një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë atje. Ajo ka kushtuar miliarda dollarë për t’u ndërtuar. Ne nuk largohemi nëse ata nuk na rimbursojnë”, shtoi ai.

Parlamenti irakian i kërkoi dje qeverisë t’i jepte fund pranisë së trupave të huaja në Irak, gjatë një seance të jashtëzakonshme me pjesëmarrjen e kryeministrit të dorëhequr, Adel Abdel Mahdi.

Që prej avionit presidencial “Air Force One” drejtuesi i Shtëpisë së Bardhë nuk bëri asnjë deklaratë për të ulur tensionet.

I pyetur në lidhje me qëndrimin e Teheranit, që kërkon hakmarrje dhe ka premtuar një përgjigje ushtarake, ai u përgjigj me një ton shumë të ashpër se “nëse ata bëjnë ndonjë gjë, ne do të reagojmë ashpër”.

Presidenti amerikan i qëndroi kërcënimit për të shkatërruar vendet kulturore iraniane.

“Ata kanë të drejtë të vrasin shtetasit tanë (…) dhe ne nuk kemi të drejtë të prekim vendet e tyre kulturore? Kjo nuk shkon kështu?”, shtoi ai.

“Dje në mbrëmje, ashtu si dhe një ditë më parë, raketa janë hedhur pranë ambasadës amerikane në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, pa shkaktuar viktima”, sipas dëshmitarëve./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.