Fagu: 248 dokumente më pak për licencimin pranë QKB-së

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Rreth 248 dokumente shkurtohen nga sot për qytetarët dhe bizneset nga marrja online e shërbimeve pranë sporteleve të Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Drejtoresha e QKB-së, Pranvera Fagu (Behushi) bëri të ditur se për t’u licencuar sot pranë Qendrës nevojiten 248 dokumente më pak, ndërsa për t’u regjistruar nevojiten vetëm katër dokumente.

“Nëse më përpara koha e pritjes për çdo qytetar për të marrë një shërbim pranë QKB-së ishte minimumi 30 minuta nga marrja e kuponit, deri tek ardhja në sportel, sot ata mund të marrin 114 shërbime online, pa u paraqitur në sportelet e kësaj qendre”, – deklaroi Fagu.
“Sot, – tha ajo, – ne kemi vendosur subjektin në krah të sportelistit, që do të thotë se nuk punon më sportelisti për biznesin, por punon në krah të biznesit”.

Sipas saj pranë QKB-së është edhe një sportel i dedikur për vulën elektronike, pasi është një ndër shërbimet më të kërkuara nga biznesi.

“Gjithashtu kemi lënë edhe një sportel të dedikuar për shërbimet që merren me vulë elektronike. 83 220 shërbime janë ofruar vetëm me vulë elektronike gjatë 2019 dhe vula elektronike është shërbimi që i duhet biznesit më shumë në banka, tendera publikë, etj., dhe është vetëm ekstrakt i thjeshtë, i shkarkueshëm menjëherë”, theksoi drejtoresha e QKB-së, Fagu. /a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.