BM – Londra rrit praninë e luftanijeve në zonën e Gjirit mes tensioneve me Iranin

LONDËR, 5 janar /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe ka planifikuar të dërgojë dy luftëanije për të mbrojtur anijet në Ngushticën e Hormuzit, mes tensioneve me Iranin, deklaroi dje në mbrëmje ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Gjithashtu, Ministri Wallace deklaroi se,” Britania e Madhe do të vendosë fregatën HMS Montrose dhe destrojerin HMS Defender në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë transporti e rëndësishme strategjike në zonën e Gjirit.”

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen për të shmangur përshkallëzimin e situatës, mes tensioneve të larta pas sulmit ajror amerikan që vrau Qassem Soleimani, komandantin e Forcave elitë Quds të Gardës Revolucionare të Iranit.

Wallace tha se ai kishte biseduar një ditë më parë me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper duke shtuar se forcat amerikane ishin sulmuar vazhdimisht nga milicia e mbështetur nga Irani, në Irak gjatë muajve të fundit.

“Sipas ligjit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë të drejtë të mbrohen kundër atyre që paraqesin një kërcënim të menjëhershëm për qytetarët e tyre”, deklaroi  ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.