Tregu jobankar arriti vlerën 171 miliardë lekë, në 9-mujorin 2019

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Institucionet financiare jobankare, kompanitë e sigurimit, fondet e pensionit, fondet e investimit arritën vlerën 1.4 miliardë euro.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se në fund të 9-mujorit 2019, totali i aseteve të këtij tregu shënoi një rritje vjetore me 12%. Peshën kryesore e zënë investimet në tituj dhe kryesisht në obligacione, me rreth 35% të totalit.

Fondet e investimit në fund të shtatorit zotëronin asete neto për rreth 67 miliardë lekë ose rreth 545 milionë euro. Zëri i dytë për nga pesha janë huatë, që në fund të shtatorit 2019 kishin vlerën e 35 miliardë lekëve, ose rreth 21% të aseteve të tregut financiar jobankar.

Ky portofol i takon kryesisht institucioneve të kredidhënies, që licencohen dhe mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë. Depozitat e vendosura në banka nga institucionet e tjera financiare kishin vlerën e 26.5 miliardë lekëve dhe përbënin afërsisht 16% të vlerës totale të aktiveve.

Institucionet që i mbajnë kryesisht fondet e tyre në formë depozitash bankare janë sidomos kompanitë e sigurimeve, që japin kontributin kryesor për këtë zë të aseteve. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.