TEKNOLOGJI – WhatsApp 100 miliardë mesazhe në botë në prag të Vitit të Ri

ROMË, 4 janar /ATSH-ANSA/ – Më shumë se 100 miliardë mesazhe janë dërguar në botë nëpërmjet WhatsApp më 31 dhjetor 2019, një rekord tjetër për aplikacionin e mesazherisë.

Rekordi i ri u njoftua nga faqja “The Indian Express” që nënvizon se vetëm në Indi janë dërguar më shumë se 20 miliardë mesazhe.

“Më 31 dhjetor 2019 janë dërguar më shumë mesazhe sesa çdo ditë tjetër më parë në historinë e dhjetë viteve. Nga 100 miliardë mesazhe të dërguara, më shumë se 12 miliardë mesazhe ishin me figura”, thekson kompania për faqen “The Indian Express”..

Vitin e kaluar, një ditë para Vitit të Ri, WhatsApp ka regjistruar shpërndarjen e 75 miliardë mesazheve, mes të cilave më shumë se 13 miliardë imazhe dhe pesë miliardë video.

Në vitin 2019, mesazhet me tekst ishin më të përdorurat në WhatsApp në të gjithë botën, e ndjekur nga mesazhet me statuse dhe imazhe.

Thirrjet dhe mesazhet zanore ishin veçoria e katërt dhe e pestë më të përdorura në biseda.

Në shkurt 2018, WhatsApp kishte një bazë përdoruesish prej më shumë se një miliardë e gjysmë, ndërkohë që aplikacioni është zhvilluar në disa vende, përfshirë Brazilin dhe Indinë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.