PEKIN – Kina heq kufizimet për investimet e huaja në sektorin financiar

PEKIN, 4 janar /ATSH-AFP/ – Kina ka hequr kufizimet për investimet e huaja në sektorin financiar, një masë e kërkuar prej shumë kohësh nga SHBA-ja, me të cilën ka pasur një përballje të ashpër tregtare.

“Bankat e huaja mund të krijojnë tashmë filiale në Kinë dhe të mbajnë të gjithë kapitalin pa qenë e nevojshme t’i bashkohen një partneri lokal”, njoftoi në një komunikatë autoriteti për rregullimin bankar (CBIRC).

Deri tani, bankave të huaja u është dashur t’i bashkohen një partneri lokal dhe nuk u lejohej të zotëronin më shumë se 49% të bashkë-kompanisë, në të cilën ato kishin investuar.

Ky njoftim mund të duket si një gjest i vullnetit të mirë nga Kina në drejtim të SHBA, ndërkohë që një marrëveshje tregtare paraprake mes dy fuqive pritet të nënshkruhet në janar, sipas Uashingtonit.

Dy ekonomitë e para botërore janë përfshirë që prej marsit 2018 në një luftë tregtare që ka sjellë vendosjen e tarifave doganore nga të dyja palët për qindra miliardë dollarë mallra në tregtinë vjetore.

Pekini kishte premtuar për një kohë të gjatë për hapjen e ekonomisë së tij për investimet e huaja, por ka vonuar në mbajtjen e premtimit në sektorin financiar./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.