PD: Qeveria, 47 milionë euro për impiantet fantazmë të përpunimit të mbetjeve

TIRANË, 4 janar/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot lidhur me kontratat e inceneratorëve të firmosura nga qeveria.

Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputetja e PD-së, Lindita Metaliaj tha se “vetëm me skemën korruptive të inceneratorëve, Edi Rama u ka marrë shqiptarëve 47 milionë euro, duke i futur ato në xhepat e Klodian Zotos, bashkëpunëtorit të Arben Ahmetajt dhe administrator në tre inceneratorë”.

“Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë skemë gjigante vjedhjeje është fakti se inceneratorët paguhen miliona euro çdo vit, megjithëse 2 prej tyre as nuk ekzistojnë. Sipas kontratës korruptive të firmosur nga Edi Rama, inceneratori fantazmë i Fierit ka marrë deri tani 18 milionë euro, ndërsa ai i Tiranës 14 milionë euro. Këto të fundit as nuk dihet në xhepat e kujt përfundojnë zyrtarisht, pasi kompania është e regjistruar në parajsë fiskale dhe pronari i vërtetë është i panjohur”, tha ajo.

Antidoti i vetëm për ketë “virus”, sipas saj, “janë zgjedhjet e lira e të ndershme, që do t’i japin vendit një qeveri e cila u shërben qytetarëve, duke nisur me anulimin e koncesioneve dhe PPP-ve korruptive, si ky i inceneratorëve”.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.