Kontrolli i territorit/ Godinat e reja kanë rezistuar ndaj një tërmeti shumë të fortë

TIRANË, 4 janar /ATSH/ “Tërmeti i 26 nëntorit shumë i fortë dhe godinat kanë mbajtur shumë”, tha sot në mbrëmje kryeministri Edi Rama i ftuar në studion e TVSH-së në një bilanc të vitit të shkuar dhe sfidave të këtij viti. I pyetur për temën e kontrollit të territorit, Rama vuri në dukje se “ nëse Shqipëria në këtë fushë do të ishte ajo që edhe unë kam imagjinuar nga pikëpamja e strukturave dhe që përflitet gabimisht, do ishte bërë kataklizmo” .

“Godinat e ndërtuara nga ndërtuesit dhe jo ato të ndërtuara vetë, kanë rezistuar ndaj një tërmeti shumë të fortë, godinat e ndërtuara nga ndërtuesit e që janë legalizuar kanë mbajtur. Te struktura te skeleti njerëzit nuk kanë kursyer”, tha Rama.

Sipas tij, dëmi kryesor te godinat e para viteve ‘90, ndërsa në ndërtimet e pas viteve ‘90 dëmet janë në ato godina që kanë pasur kate pa leje dhe pa projekt.

“Ajo që kam kërkuar që jo vetëm ndërtuesit, po edhe akritektët e supervizorët të dënohen në rast se shkelin lejet. Do rrisim dënimin për këtë dhe për ata që bëjnë banesa pa projekt. Arkitekti që firmos letrat në bashki mban përgjegjësi për këtë projekt, dhe nëse ka ndryshime në projekt, ai nuk duhet ta lejojë ndërtuesin ta bëjë këtë gjë, të bëjë denoncimin për shkelje të të drejtës së autorit të punës së tij. Dhe kompanitë e sigurimit duhet të hyjnë si garante të qytetarit që blen banesë. Kontrolli i territorit as që krahasohet sot me çka qenë përpara”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.