Fatura e tërmetit/ Shtëpi të reja për banorët e zonave rurale brenda 2020, pavarësisht donacioneve ndërkombëtare

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama garantoi sot se banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit në zonat rurale do të jenë në shtëpi të reja brenda vitit 2020. I ftuar në emisionin “Java” në RTSH, kryeministri Rama theksoi se qeveria po bën raportin e pas shkatërrimeve nga tërmeti së bashku me ekspertët e BE-së dhe ata të Kombeve të Bashkuara.

“Së shpejti do të kemi një faturë, por eksperienca ka treguar se këto fatura janë dinamike. Jemi shumë të përgatitur se kemi punuar intensivisht për të kthyer njerëzit që humbën shtëpitë e që sot jetojnë në shtëpi me qira apo në çadra në zona rurale, dhe mund të them që brenda vitit 2020 do fusim në shtëpi të gjithë ata që janë në çadër apo që kanë humbur banesat individuale. Për ata që janë me qira e që do hyjnë në apartamente në lagjet e reja që do ndërtohen, brenda 2021 do e kryjemë procesin, njerëzit do hyjnë në shtëpi më të mira se ato që kishin në pjësën më të madhe. Brenda shtatorit, do rindërtohen të gjitha shkollat, fëmijët që kanë humbur godinën se mësimin e kanë vazhduar do kenë kushte më të mira”, tha Rama.

Në lidhje me fondin e Rindërtimit, ai tha se ka dy skenarë bazë. “I pari sikur të mos marrim asnjë euro nga donatorët dhe tjetri me disa përshkallëzime si rezultat i donacioneve. Këto shtëpi do i bëjmë edhe pa kontributin e donatorëve. Në shtëpi të reja ata që janë në zonat rurale brenda vitit 2020”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.