Gati revolucioni dixhital për shërbimet për qytetarët, Rama: Shkurtohet koha për shërbimet, eliminohet ryshfeti

TIRANË, 3 janar /ATSH/ – Janë 472 aplikimet për shërbimet që deri dje krijonin radhë nëpër sportele thjesht për një aplikim, i cili tanimë mund të bëhet online, përmes smartfonit apo kompjuterit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dokumente shtetërorë kur aplikojnë, po vetëm dokumente individuale.

Për të aplikuar për pension një qytetari i duhej të mblidhte në sportelet e disa institucioneve një numër të madh dokumentesh.

Kryeministri Rama shpjegoi konkretisht se si do të jetë kjo procedurë që nga data 6 janar.

”Sot 16 dokumente që nevojiten për të plotësuar dosjen e për të përfituar pension pleqërie do t’i sigurojë vet Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, tha Rama.

“16 rrugë për të bërë këto lloj dokumentesh, për të bërë një mal me letra. Tashmë të gjithë këto dokumente do t’i sigurojë vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Aplikanti do të duhet të dorëzojë vetëm 5 dokumente që janë libreza e punës, diploma e shkollës së lartë, vërtetim nga qendra e fundit e punës, vërtetim page, sipas së cilit është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, si dhe vërtetim nga shkolla kur fëmija është mbi 18-25 vjeç”, u shpreh Kryeministri.

Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin.

Ky proces transformues rrënjësor do të zhdukë brenda 2020-s radhët për të kërkuar një shërbim; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim; eliminojë masivisht ryshfetin.

Kryeministri u ndal edhe në një nga çështjet e diskutuara që ka të bëjë me aplikimin nga ana e të moshuarve.

Sipas tij, nga eksperienca me platformën e bashkëqeverisjes ka rezultuar që ky proces është i thjeshtë, sepse janë zgjidhur shumë halle që kanë ngritur të moshuarit.

”Por, ata mund të përfitojnë online këto shërbime ose duke shkuar në një pikë shërbimi, si postë, njësi administrative, apo duke iu kërkuar ndihmë familjarëve, djalit, vajzës, nipit, apo fqinjit”, shtoi Rama.

“Do të ketë një fazë tranzicioni. Në periudhën e parë, muajin e parë dhe të dytë, sportelet do të asistojnë personat për t’a bërë më të lehtë aplikimin, siç bëmë dikur në aeroporte kur u vendosën biletat elektronike dhe stjuardesat ndihmonin pasagjerët”, tha Rama.

”Data 6 janar është fillimi i një revolucioni kundër radhëve, zvarritjeve e ryshfetit për të lehtësuar maksimalisht procesin e marrjes së dokumenteve dhe shërbimeve nga qytetarët”, theksoi ai.

“Ky shërbim do të ofrohet si për shqiptarët në Shqipëri edhe për ata jashtë. Nuk do të kenë më nevojë të vijnë me pushime e të rrinë në sportele për të marrë një numër të madh shërbimesh. Ndërkohë janë vetëm një numër i vogël shërbimesh që për çështje sigurie  kanë të nevojshme prezencën e qytetarit”, deklaroi Kryeministri Rama.

Në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime (me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim) do të bëhen vetëm online në https://e-albania.al

Sistemi nuk do të paraqesë probleme pasi e-albania është një platformë e konsoliduar tashmë, dhe të gjitha institucionet janë gati./a.gjonaj/

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1253055768415203/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.