Rihapet procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, Lera për ATSH: Ulje e tatimit nga 15% në 3%

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Shqipëria ka rreth 100 mijë pasuri dhe një numër i madh qytetarësh nuk kanë mundur të bëjnë rivlerësimin e banesave sipas vlerës së tregut.

Nga sot qytetarët do të mund të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme, sipas vlerës së tregut duke paguar një tatim më të ulët prej vetëm 3% nga 15% që ishte.

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera në një intervistë për ATSH-në thekson se synimi i këtij ligji është rivlerësimi i pasurisë të paluajtshme i gjithë individëve, deri në datën 30 qershor 2020.

Ky ligj, shprehet ai, ka për qëllim realizimin brenda një kohe të shkurtër dhe me kosto mjaft të ulët për individët, të rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme të tyre, dhe nxitjen e tregut të pasurive të paluajtshme.

“Ka qenë një kërkesë e shtuar nga ana e qytetarëve për të rivlerësuar pasurinë. Rivlerësimi i pasurisë bëhet i nevojshëm pasi qytetarët mund të kenë nevojë për ta shitur dhe taksa është 15%. Ndërkohë, duke e vlerësuar pasurinë qytetari paguan atë tarifën 3%, por paguan 5 herë më pak nëse e shet e nuk ka të rivlerësuar shtëpinë”, – shpjegoi ai.

Rivlerësimi, vuri në dukje Lera, shërben si një mekanizëm për të rritur vlerën e shtëpive dhe për ta përdorur si kolateral në rastin e shitjes së shtëpive.

Ky projektligj vlerësohet të ketë 6 miliard leke efekte financiare bruto në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2020. Vlerësohet që procesit të rivlerësimit t’i nënshtrohen rreth 50-60 mijë banesa./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.