Fotogaleri/ Gëzuar 2020! Ndërrimi i viteve në sheshin “Skënderbej”, koncert e spektakël fishekzjarresh

TIRANË, 1 janar /ATSH/ -Viti i Ri 2020 mbërriti edhe në Shqipëri. Tirana dhe qytetet e tjera pritën ndërrimin e viteve kur akrepat e orës shënuan 00:00 me fishekzjarret shumëngjyrëshe që shkëlqyen në qiellin e kësaj mbrëmjeje.

Një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej” ashtu siç është bërë traditë tashmë çdo vit nga Bashkia e Tiranës mblodhi qytetarët. Festa nisi në orën 23:00 të mbrëmjes ku performuan emra të njohur të muzikës shqiptare, si Eneda Tarifa, Mariza Ikonomi dhe Elhaida Dani.

Një spektakël i vërtetë fishekzjarresh u realizua për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe vizitorët e shumtë të kryeqytetit, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë në Tiranë festat e fundvitit.

Kur akrepat e orës shënuan 00:00 mijëra fishekzjarre shoqëruan countdownin që priti Vitin e Ri 2020. Më të gëzuar ishin fëmijët që shijuan me kënaqësi spektaklin e fishekzjarreve, ndërsa të rinjtë me celularët në duar nxituan të fiksonin fotografitë e kësaj nate magjike.

Tirana është veshur me ngjyrat e festave në çdo cep të saj. Sheshi “Skënderbej” është dekoruar sërish këtë vit nga bashkia me dritat shumëngjyrëshe, pemën madhështore, si dhe ka ngritur “Fshatin e Festave”, një hapësirë festive ku qytetarët kalojnë kohën dhe argëtohen.

Trokitja e gotave dhe urimi për mbarësi dhe një vit të bardhë është mesazhi që ka mbizotëruar në tryezat e çdo qytetari, por edhe në urimet e shumta përmes mesazheve telefonike dhe online me njëri-tjetrin, por edhe kartolinave.

Pak para ndërrimit të viteve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa uruan qytetarët në sheshin “Skënderbej”.

Veliaj tha se pavarësisht një viti me sfida që lamë pas, 2020 vjen plot shpresë. “Viti 2020 është 100-vjetori i Tiranës. Ky vit na dha të kuptojmë se gjëja më e rëndësishme është jeta. Ne mund të kemi bindje të ndryshme, fe të ndryshme, mund të kemi ngjyra të ndryshme të lëkurës, por kemi vetëm një jetë. Ndaj, në emër të këtyre sfidave, vështirësive, në emër të gjithë atyre fatkeqësive që kaluam këtë vit, përqafojmë njëri-tjetrin plot shpresë, për një vit më të mirë dhe një zemër plot mirënjohje për Tiranën tonë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se ndonëse Tirana u prek nga tërmeti, 2020 do të jetë viti i ringritjes së madhe, viti ku Tirana ecën më shpejt e lufton akoma më fort për të qënë një qytet europian. “Jemi duke rikuperuar shtëpitë një e nga një, duam gjithashtu të rikuperojmë zemrat, mendjen, ekonominë dhe të sigurohemi që Tirana të vazhdojë të jetë motori i ekonomisë dhe i rajonit tonë. Fëmijët janë e ardhmja e këtij qyteti dhe e këtij kombi, ndaj në emër të fëmijëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë duhet të ngrihemi prapë në këmbë. Qytetet nuk maten nga sa herë rrëzohen; Qytetet, shtetet, kombet, komunitetet, familjet, maten nga sa shpejt ngrihen. Ndaj, unë besoj se viti 2020 do të jetë viti i ringritjes sonë të madhe, viti ku Tirana ecën më shpejt, lufton akoma më fort për të qenë një qytet realisht europian”, theksoi ai.

Veliaj i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ndihmojnë ekonominë, duke punësuar një person të prekur nga tërmeti apo duke adoptuar ndërtimin e një banese ose institucioni arsimor.

“Teksa fillojmë punën, teksa rifillon jeta normale, duam shumë të fokusohemi tek ekonomia. Nëse keni një biznes, punësoni një njeri më shumë sepse ka humbur gjithçka prej tërmetit. Nëse keni një mundësi financiare për të ndihmuar shtëpinë e dikujt, ju lutem na jepni një dorë; nëse keni mundësi të adoptoni një shkollë, një kopsht, një çerdhe, ju lutem na jepni një dorë dhe unë zotohem: ne si Tiranë, do të japim një dorë, siç kemi dhënë edhe për Durrësin, për Thumanën, për Laçin, për Krujën, për Fushë-Krujën dhe kudo tjetër ku ka nevojë që dora e Tiranës të ndihet. Kjo është Tirana jonë, familja jonë e madhe. Një familje është si një pemë secila ka degën e vet, por ama jemi të gjithë në një rrënjë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës përshëndeti edhe vëllezërit dhe motrat tona në trevat shqiptare, si dhe në diasporë. “Tirana e një milionëve, që mezi pres jo vetëm të mbushi 100-vjetorin, por në vitin 2022 është përzgjedhur Qyteti Europian i Rinisë. Dua të përshëndesim të gjithë vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë, në Maqedoni, vëllezërit dhe motrat në Preshevë, Mal të Zi, ata që janë në Australi, në Hollandë, në Kanada, në Amerikë, në Belgjikë, Gjermani e kudo ku flitet dhe ku rreh zemra shqip”, tha Veliaj.

E ashtu siç tradita tashmë e kërkon, pas mesnate, për mijëra të rinj vendin e tryezës së tejmbushur në shtëpi e zënë lokalet e baret e kryeqytetit, të cilat qëndrojnë hapur deri në orët e para të mëngjesit.

Orët e para të vitit 2020 janë pritur edhe në atmosferën festive të lokaleve dhe restoranteve në kryeqytet, për të zgjatur deri në zbardhjen e parë të këtij fillimviti.

Ashtu si në çdo festë edhe në këtë të ndërrimit të viteve Policia Rrugore ka qëndruar në gatishmëri për të lehtësuar qarkullimin. Në gatishmëri ka qenë dhe ambulancat, po ashtu edhe zjarrfikësit.

Të gjithë njerëzit në këtë ditë të parë të 2020 urojnë dhe shpresojnë se Viti i Ri që po troket në derë të jetë sa më i mbarë dhe i begatë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare uron gjithë shqiptarët kudo që janë Gëzuar Vitin e Ri 2020!

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.