Plagoset kreu i bashkisë së Lushnjës dhe sekretarja e tij, policia nis hetimet

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH-A. Fortuzi/- Kryebashkiaku i Lushnjës Fatos Tushe dhe sekretarja e bashkisë Lushnje, Erisa Qalliu kanë mbetur të plagosur nga një shpërthim i ndodhur mëngjesin e sotëm në zyrën e kryebashkiakut Tushe.

Nga informacionet paraprake, sipas njoftimit zyrtarë të Policisë së Fierit, “sot, rreth orës 09:00, në zyrën e kryetarit të bashkisë Lushnjë, dyshohet se është hedhur një granatë dore dhe për pasojë është dëmtuar Kryetari i Bashkisë shtetasi Fatos Tushe dhe sekretarja e Bashkisë, shtetasja Erisa Qalliu të cilët ndodhen në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është ish-shoferi i Kryetarit të Bashkisë, shtetasi G. S., i cili pasi ka hedhur granatën është larguar menjëherë nga ambientet e Bashkisë Lushnjë.

Forca të shumta policie të Komisariatit të Policisë Lushnjë, të DVP Fier, Renea e FNSH e Fierit po krehin zonën, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit.

Grupi i posaçëm hetimor, me Specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale ne Policinë e Shtetit dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.