Viti 2020, viti i revolucionit digjital/ Kthesë historike në shërbimet për qytetarët

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/- Viti 2020, duhet të jetë viti i kthesës historike në shërbimet për qytetarët, viti i revolucionit digjital. Kështu u shpreh, Kryeministri Edi Rama, të hënën, në urimin e Vitit të Ri përmes një videomesazhi.

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i një kthese historike në shërbimet për qytetarët. Revolucioni digjital në ofrimin e shërbimeve në çdo sportel shtetëror, i cili nis në janar me një bllok të parë shërbimesh, do të jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme në këtë drejtim”, deklaroi Rama

“Brenda vitit 2020, duhet të marrë fund historia e aplikimeve me dosjen sa një mal, që sot e tridhjetë vjet i kërkohet qytetarit për një shërbim, duke e detyruar të bredhë në dhjetëra zyra për të siguruar dokumentet e nevojshme për një aplikim.

Dokumentet që jepen nga shteti për një dosje aplikimi, nuk duhet t’i kërkojë më qytetari zyrë më zyrë, po duhet t’i sigurojë vetë shteti.Nga pritës pasivë të qytetarëve nëpër sportelet e shërbimeve, punonjësit e sporteleve duhet të kthehen në shërbëtorë të qytetarit dhe të plotësojnë dosjen për llogari të qytetarit, me të gjithë dokumentet që lëshohen nga institucionet shtetërore”-, theksoi Kryeministri.

“Qytetari duhet të aplikojë online dhe duhet të paraqitet në sportel në afatin ligjor, vetëm për të marrë dokumentin që kërkon. Kështu do të shpëtojnë nga shumë telashe dhe pamundësi objektive edhe të gjithë qytetarët shqiptarë jashtë vendit, të cilët nuk mund të rrinë nëpër radha kur vijnë në Shqipëri për pushime dhe as nuk mund të presin pushimet për të marrë shërbime në sportelet e shtetit shqiptar.

Boll me ecejaket e panumërta, ryshfetet e padurueshme, radhët e pafundme dhe stresin e njeriut të zakonshëm, sa herë që, tash 30 vjet, niset për të nxjerrë një copë letër në zyrat e këtij shteti. Fundi i vitit 2020 duhet të jetë edhe fundi i këtij kapitulli 30-vjeçar vargmalesh të pafundmë me letra nën sqetullën e popullit, që kërkon shërbim në sportelet e shtetit”-, tha Rama.

“Viti 2020, duhet të shënohet si viti i fillimit të një historie të re shqiptare, në administrimin e në zhvillimin e pasurisë së madhe kombëtare të bregdetit të mrekullueshëm të Shqipërisë. Zaptimi i plazheve dhe pamundësia e njerëzve të këtij vendi për të zgjedhur sipas dëshirës e mundësisë së tyre, nëse duan të shkojnë në një plazh publik, apo në një plazh me pagesë, duhet të marrin fund”-, bëri thirrje Kryeministri. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.