Rikonstruksioni i rrugës nacionale Ceren – Radomirë, impakt zhvillimit të ekonomisë lokale dhe nxitjes së turizmit

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Një numër i madh projektesh në infrastrukturë, turizëm, ekonomi lokale dhe kombëtare, zhvillim urban dhe përfitime sociale po marrin jetë nga veriu në jug të vendit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se projektet që po zbatohen synojnë zhvillimin e ekonomive lokale dhe rritjen e mirëqenies së banorëve.

Një ndër projektet që pritet të nis është rikonstruksioni i rrugës, Ceren – Radomirë. Sipas FSHZH-së, ky aks do të lidhë fshatrat Ujëmirë, Tejs dhe Radomirë, me rrugën nacionale Kukës-Peshkopi.

Rruga ekzistuese ishte e ngushtë dhe e degraduar, duke vështirësuar kalimin e mjeteve, sidomos në stinën e dimrit dhe gjerësia e saj varionte nga 3.5 m deri në 5 m në pjesë të veçanta.

Ky investim po kryhet në kuadër të programit “Infrastruktura vendore rajonale” me financim të Qeverisë Shqiptare dhe projekti parashikon zgjerimin e trasesë së rrugës, hapjen dhe mbushjen e kasonetës në rrugë, ndërtimin e kanaleve kulluese të ujrave të shiut, ndërtimin e tombinove e mureve mbajtëse, ndërtimin e nënshtresave, shtresës së bazës e shtresave asfaltike, si dhe sinjalistikës.

Rruga nacionale Ceren-Radomirë do të shërbejë si një portë hyrëse drejt Parkut të Korabit dhe rikonstruksioni i saj do të krijojë mundësi për zhvillimin ekonomik të fshatrave përreth, përmes investimeve në sektorët e bujqësisë, blegtorisë, shërbimeve si nxitjen e zhvillimit të turizmit./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.