“Programi i Rindërtimit”, kushte më të mira se më parë për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Programi i Rindërtimit do të jetë një kapërcim i madh nga pikëpamja e planifikimit, cilësisë së ndërtimit dhe kushteve të jetesës që do t’u afrohen banorëve”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit.

Rama tha se “gjithçka është bërë për të garantuar një planifikim të shpejtë, cilësor dhe transformues”.

“Është përgjegjësia dhe dëshira legjitime e gjithë njerëzve që rindërtimi të mos jetë rikthim aty ku ishim, por të jetë një kapërcim i madh nga pikëpamja e planifikimit, cilësisë së ndërtimit dhe kushteve të jetesës që do t’u afrohen banorëve. Besoj se për familjet e varfra, shtresën e mesme që ka humbur shtëpinë nga tërmeti do të garantojmë kushte më të mira se ato që kishin”, tha Rama.

Tërmeti, sipas tij, “ka goditur në masën më të madhe familje të varfra ose me të ardhura modeste”. “Kjo është një shtysë edhe më e madhe që kjo katastrofë për këto familje të shikohet si një mundësi e madhe për t’i dhënë atyre një nivel të ri jetese nga pikëpamja e kushteve të banimit, shkollimit dhe shërbimit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ka parasysh këtu spitalin e Laçit, tipike e një godine të amortizuar që do të jetë 100 % më e mirë, më cilësore, më dinjitoze, më e sigurt se ajo para tërmetit, sepse do të ndërtohet nga e para dhe do të garantojë kushte më të mira se më parë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.