Nis meremetimi i pallateve nga ndërtuesit, respektim i kodit antisizmik në çdo projekt

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi procesin e meremetimit të godinave me shumë njësi banimi (pallate), nga vetë kompanitë ndërtuese.

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Rama tha se “procesi ka nisur por po bëhet me një ekzigjencë të qartë për të respektuar Kodin në të gjitha projektet”.

“Kjo ka bërë që disa projekte të propozuara të kthehen mbrapsht dhe të futen në kornizën e Kodit. Meremetimet po bëhen me shpenzimet e vetë kompanive”, tha Rama.

Ai theksoi se “përsa i përket procesit të vendimmarrjes përfundimtare për të ardhmen e çdo godine me shumë njësi banimi në radhë të parë, por edhe të tjerave, është angazhuar fondi për studimin e thelluar ku një grup ekspertësh konstruktorë do të firmosin me përgjegjësinë e tyre profesionale për mundësinë e rikuperimit apo për shembjen e një godine të caktuar”.

“Për këtë i është deleguar përgjegjësia Institutit të Ndërtimit për të proceduar me shpejtësi me fondin dhe për të siguruar që grupet do të kenë të gjitha instrumentat e nevojshme, dokumentacion dhe financiare që të na japin sa më shpejt rezultatet. Puna për verifikimin po bëhet në mënyrë mbresëlënëse. Është një punë që falë teknologjisë zhvillohet në kohë reale si aktivitet në terren dhe inventarizim. Ky proces kërkon monitorim që po e bëjmë për të shmangur abuzimet dhe vlerësime të përcipta që mund të kthehen në kosto financiare të panevojshme”, tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.