Mesazhi i Fundvitit, Rama: 26 nëntori, kulmimi tragjik i një viti të vështirë, ia dolëm të mos lemë vetëm askënd

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/- Kryeministri Edi Rama, në mesazhin e fundvitit për të gjithë shqiptarët risolli në vëmendje ngjarjet dramatike të fundvitit me tërmetin e 26 nëntorit, pasojat që ai solli për vendin, por edhe energjinë përbashkuese.

“Ky që po mbyllet ishte një vit tejet i ngarkuar. Me plot momente posaçërisht të vështira që na sprovuan durimin. Na lënduan shpresën dhe fundmi, na lëkundën deri edhe tokën nën këmbë. Tërmeti i 26 nëntorit ishte kulmimi tragjik i këtij viti të vështirë”, – tha Rama.

“51 të vdekur, thuajse 1000 të plagosur, mijëra familje që në më pak se një minutë humbën çatinë mbi krye, dhjetëra-mijëra të tjera që lanë shtëpitë në Tiranë e Durrës, nën presionin e ankthit të pashembullt që pllakosi zemrën e Shqipërisë, mund të kishin gjunjëzuar këdo. Mund ta kishin kthyer vendin tonë, vite e vite të tëra mbrapa.

Duke kaluar ditë e netë të gjata përmes gërmadhave ku kërkoheshin jetë, turmave të njerëzve të mbledhur bashkë nëpër rrugë në errësirë e në të ftohtë, në korridoret spitaleve, funeralet e viktimave, kampet e përkohshme e më pas në hotelet, banesat me qira e çadrat dimërore, ku sistemuam në kohë rekord mijëra e mijëra të pastrehë, nuk m’u nda mendimi se mund të kishte qenë edhe më keq, edhe shumë më keq”, – shtoi Rama.

“Në njëfarë mënyre, ishte një mrekulli që numri i të vdekurve nuk qe shumë më i lartë, që numri i të plagosurve që ndërruan jetë në spital, nuk qe shumë më i madh, që numri i pallateve dhe i shtëpive të kthyera në varr, largqoftë, për banorët e tyre, nuk qe shumë herë më katastrofik.

Kjo mrekulli ishte nga dora e Zotit, që u ndal aty, por edhe nga mijëra e mijëra duart tona. Dhe nga duart e plot miqve të mirë në ditë të vështirë, që vrapuan të na gjenden në krah. Reagimi i menjëhershëm i forcave tona të kërkim-shpëtimit, ushtrisë, policisë, zjarrfikësve, mjekëve e infermierëve, shpëtoi dhjetëra e dhjetëra jetë të mbetura në fijen e perit, nxori nga rreziku për jetën dhjetëra e dhjetëra të tjera dhe kuroi mijëra plagë të mëdha e të vogla në trupat e qindra e qindra të plagosurve”, – tha Rama.

“Falë edhe valës së nxehtë të qindra-mijëra zemrave shqiptare u përfshinë menjëherë, në mbështetjen e njerëzve e u bënë me shpejtësi miliona, si edhe falë ngrohtësisë e sigurisë së shtuar, që sollën në zemrën tonë të thyer, qindra e qindra forca të angazhuara nga vendet mike, në rajon, Europë e deri matanë Atlantikut, ndodhi mrekullia e rilindjes së shpresës në mes të zymtisë”, – shtoi Kryeministri.

Rama tha se shqiptarët u bënë bashkë para kësaj tragjedie.

“Shqipëria e ndarë në ditët me diell nga politika ndotëse e sherrmbjellëse dhe mediat çoroditëse e keqndjellëse, u bashkua. Si rrallëherë më parë, shqiptarët u bënë bashkë, përballë një tragjedie që na tregoi se sa të vegjël jemi, po edhe sa të fortë mund të jemi, kur të bashkuar i dalim të keqes përballë. Jetuam ditë e netë të paharrueshme, cfilitëse për nga ngarkesa e tyre e jashtëzakonshme, por edhe të jashtëzakonshme për nga pesha emocionale”.

“Pamë me sytë tanë vlerën e paçmueshme të njerzillëkut, të duarve të shtrira ndaj njëri-tjetrit, të bashkimit me njëri-tjetrin, për njëri-tjetrin. Dhe ia dolëm”, – theksoi Rama.

“Përtej jetëve që nuk i kthejmë dot; përtej plagosjeve që nuk i ndalnim dot; përtej shkatërrimeve që nuk i pengonim dot, ne ia dolëm t’i mbijetojmë me dinjitet e shpejtësi goditjes tragjike. Ne ia dolëm të mos lemë vetëm asnjë fatkeq; të mos lemë jashtë në rrugë të madhe asnjë familje); të mos mbetemi asnjë javë, peng i kampeve të emergjencës, ku zakonisht ngjizen bashkë dëshpërimi, konfuzioni, pasiguria dhe pisllëku administrativ e mediatik bashkë.

Ia dolëm t’u japim strehë e ushqim të ngrohtë dhe perspektivë të qartë në kohë rekord mijëra familjeve. Sistemuam mijëra njerëz të çdo kategorie sociale, në hotele me kushte optimale, me kujdes të posaçëm mjekësor për të sëmurët e shërbim të dedikuar arsimor për fëmijët; mijëra të tjerë i sistemuam në shtëpi me qira, shpeshherë më të mira sesa ato që humbën, apo ku ende nuk kthehen dot; mijëra të tjerëve akoma u siguruam çadrat dimërore, brenda oborreve të shtëpive të tyre të pabanueshme në fshat.

Ia dolëm ta përballojmë furtunën e emergjencës imediate, shumë herë më shpejt e më mirë se sa kurrë ndonjëherë më parë në këtë shtet, pavarësisht se kurrë ndonjëherë më parë në 30 vitet e fundit, furtuna e një fatkeqësie natyrore s’ka qenë kaq e frikshme në përmasat e saj”, – tha Kryeministri.

Rama shtoi se qeveria do ia dalë dhe në sfidën e rindërtimi. “Po njësoj, ne do t’ia dalim edhe në sfidën e rindërtimit, pavarësisht se kurrë më parë një qeverie të Shqipërisë, nuk i ka rënë në kurriz një barrë kaq e madhe sa ky rindërtim masiv.

Por do t’ia dalim me se s’bën, sepse sot jemi më të fortë sesa përpara tërmetit. Jemi të gjithë më të vetëdijshëm për forcën që kemi si vend e si shoqëri). Unë vetë, jam sot ende më i bindur, në forcën e kësaj shumice qeverisëse, dhe akoma më i vendosur për ta bashkëqeverisur këtë vend me ju, njerëzit e zakonshëm, edhe më mirë. Edhe më drejtë.

Librat e Shenjtë thonë se tërmeti vjen si një e keqe e madhe, për t’u sjellë njerëzve mundësinë të pendohen e të pastrohen. Por përtej debatit për besimin a mosbesimin në Zot, dhe falë energjisë së madhe pozitive që u gjenerua si reagim kombëtar ndaj goditjes shkatërrimtare të tërmetit, ky është në sytë e mi momenti i një fillimi të ri, për të prodhuar më shumë energji pozitive dhe arritur më shumë, për vendin e për fëmijët tanë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.