Mbështetje familjeve në nevojë/ Të nxjerrim nga harta 2156 banesa të mjeruara

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në një fazë të dytë, ne do të garantojmë që të arrijmë t’i fshijmë nga faqja e Shqipërisë të gjitha banesat e mjerimit”.

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Kryeministri theksoi se në gjithë Shqipërinë bëhet fjalë për 2156 banesa të mjeruara.

“Falë kontributeve të organizatave solidare apo tonat si qeveri i kemi nxjerrë nga ato kushte mizerabël shumë familje, por ka ende. Ne kemi bërë inventarin e tyre, janë 2156 banesa të mjeruara, që duhet të transformohen dhe me këto modele dhe me këtë eksperiencë nga rindërtimi, ne do të bëjmë edhe këtë, padiskutim”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “ky do të jetë një proces që do të na çojë në një nivel tjetër në aspektin e politikave të strehimit dhe mbështetjes për familjet në nevojë dhe familjet që janë në streha jashtë çdo standardi”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.