Kurimi i të shkuarës/AIDSSH: Për një kujtesë të përbashkët europiane

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH – I. Vata/- Në kuadër të kurimit të së shkuarës nga regjimi komunist, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka përshkallëzuar veprimet konkrete sa i takon bashkëpunimit mes institucioneve qendrore dhe lokale për të zhdukurit në diktaturë.

AIDSSH ka kërkuar nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, me shkresat përkatëse drejtuar secilës bashki në vend, që të merren masa për ruajtjen dhe mbrojtjen e vendeve të pushkatimit dhe vendvarrimeve të fshehta apo të deklaruara të periudhës së diktaturës.

Po ashtu AIDSSH ka dorëzuar pranë bashkive hartën paraprake me vendvarrime të raportuara, (burimi IIPP dhe ICMP) dhe rezultatet e grumbulluara deri tani në nivel kombëtar nga aplikacionet e ICMP, Qendra e Kërkimit Online dhe Gjurmuesi i Vendvarrimeve, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të 2018 ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Deri tani, pranë AIDSSH janë paraqitur 75 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të zhdukurve. Të gjitha raportimet i janë kaluar IIPP, që koordinon me AIDSSH e ICMP për informacionin e njësuar për rreth 6000 të zhdukur në diktaturë.

Më herët, AIDSSH ka ndërmarrë nisma konkrete dhe ka organizuar aktivitete në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe Ditës së Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, duke bashkëpunuar me institucionet dhe Prokurorinë për fillimin e procedurës së gjetjes dhe identifikimit të vendvarrimeve të personave të zhdukur në diktaturë.

AIDSSH ka bërë kërkesë pranë Ministrisë përgjegjëse për përfshirje në projektligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” të një pike ku të përfshihen si vende kujtese dhe vetëdijësimi, vendet e pushkatimit dhe vendvarrimet e fshehta të periudhës së diktaturës komuniste.

AIDSSH do t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë përmirësime ligjore për të koordinuar më mirë punën mbi të zhdukurit, mes institucioneve, qeverisjes vendore, prokurorisë dhe familjeve.

Në shtator 2019, Parlamenti Europian miratoi rezolutën mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane, duke shprehur respekt për secilën viktimë të sistemeve totalitare dhe mbështetje për përkujtimin e tyre. Duke pasur parasysh që kujtimet e së kaluarës tragjike të Europës duhet të mbahen gjallë, në mënyrë që të nderohen viktimat, të dënohen autorët dhe të shtrohet rruga për pajtim, bazuar tek e vërteta dhe përkujtimi, rezoluta e PE thotë se kujtimi i viktimave të regjimeve totalitare, sikundër njohja dhe rritja e vetëdijes për trashëgiminë e përbashkët evropiane të krimeve të kryera nga diktaturat komuniste, naziste dhe të tjera, ka rëndësi jetike për unitetin e Evropës.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, që prej themelimit, në bashkëpunim me partnerët, e ka vënë fokusin e punës së tij në zbardhjen e së kaluarës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.