Donacionet/ Rama: Një bazë jo e vogël për të ecur me shpejtësi me fazën e rindërtimit

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te donacionet që janë dhënë deri tani në kuadër të procesit të rindërtimit dhe siguroi se “kemi një bazë jo të vogël për të ecur me shpejtësi me fazën kritike të rindërtimit që lidhet me nxjerrjen sa më shpejt nga çadrat të njerëzve që jetojnë në fshat”.

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Rama tha se “kemi fillimisht sasinë e donacioneve të vogla, nga donatorë shumë të vegjël, por që në këtë rast meritojnë besimin më të madh sepse kanë ndarë një gjë nga buxheti i tyre për rindërtimin”.

“Për të qartësuar situatën përsa i përket donacioneve që janë në drejtim të shtetit kemi 65.57 milionë lekë të reja nga donatorët të vegjël që janë 6165 donatorë; 414.2 milionë lekë të reja, 8.64 milionë euro dhe 1.01 milionë dollarë nga donatorët më të mëdhenj dhe kemi 21 milionë angazhime të marra nga donatorë ndërkombëtarë”, tha Rama.

Shifrat e donatorëve ndërkombëtarë, sipas tij, “janë shifra që do të lëvizin në mënyrë të konsiderueshme si rezultat i ndërveprimeve që ne do të bëjmë, si dhe në konferencën e donatorëve të thirrur nga Presidentja e KE-së për të gjitha vendet e BE-së”.

“Po ashtu kemi edhe disa aktivitete të tjera në vendet e Lindjes së Mesme, ku jemi aktualisht shumë aktivë. Mbetet për t’u parë vendimi përfundimtar i organizatorëve të konferencës së donatorëve në kuadër të BE-së, nëse do të përfshihen donatorë jashtë BE-së apo jo, kjo është në diskutim”, tha Rama.

Po ashtu, një pjesë tjetër e donacioneve, sipas tij, “janë mbledhur nga organizatat që besoj do të publikohen në të njëjtën faqe, natyrisht të ndara që edhe organizatat të kenë një raport transparence dhe koherence me donatorët e tyre, por edhe publiku të ketë një qartësi për shumën tërësore të donacioneve”./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.