MV: – Zaev: Propozimi i VMRO-DPMNE për MPB në kundërshtim me Kushtetutën

SHKUP, 29 dhjetor /ATSH-MIA/ – Opozita propozoi dje një ministër të ri teknik të Punëve të Brendshme, ndërkohë që ky propozim nuk u pranua nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pasi sipas tij bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për policinë.

Takimet e mbrëmshme mes kryeministrit, Zoran Zaev dhe kreut të opozitës VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski ishin të parat në kuadër të formimit të qeverisë teknike, ndërkaq siç theksoi edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, të hënën do të njoftojmë propozime të tjera.

Në takimet e djeshme që zhvilloi Mickoski me kryeministrin, Zoran Zaev dhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dha propozimin e tij për ministrin e Punëve të Brendshme në qeverinë teknike duke theksuar se bëhej fjalë për një profesionist me karrierë jashtëzakonisht të pasur në shërbim.

Kryeministri Zoran Zaev pas takimit me liderin e opozitës Hristijan Mickoski theksoi se VMRO-DPMNE kishte propozuar një person me detyrë të lartë në armatë, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për policinë.

“Këtu kemi të bëjmë me një person ushtarak dhe prej këtu lind dilema nëse Kushtetuta në pajtim me nenin 97 e lejon atë, Ligji për shërbim në Armatë dhe Ligji për shërbim në MPB”, theksoi Zaev duke shtuar se do të konsultohej me ekspertët rreth kësaj çështjeje.

“Ne nuk kemi asnjë paragjykim për kandidatin, është e drejtë e opozitës të zgjedhë kandidatin e saj, por Kushtetuta dhe ligjet duhet të respektohen”, shtoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

“Emrin e ministrit teknik të Punëve të Brendshme ia prezantuam kryeministrit në largim Zoran Zaev, por ai kërkoi kohë për konsultime shtesë. Nuk kishte vërejtje dhe komente. Bëhet fjalë për profesionist dhe fytyrë e re në politikë”, u shpreh Hristijan Mickoski.

Për Ahmetin, sipas deklaratës së tij pas takimit me Mickoskin, propozimi i VMRO-DPMNE-së është i pranueshëm për ministër të Punëve të Brendshme.

“Ai është profesionist i dëshmuar i cili nuk ka qenë i njohur si aktivist politik”, theksoi Ahmeti.

Sipas disa mediave propozimi i VMRO-DPMNE-së për ministër teknik të Punëve të Brendshme ishte Dragan Kovaçki, i cili vjen nga Armata e Maqedonisë së Veriut dhe është me gradën kolonel. Ai ka karrierë të gjatë në ushtri, mes tjerash edhe si Komandant i Brigadës së parë të mekanizuar të këmbësorisë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.