MV – Zaev: Nuk do të ketë ndryshim të pushtetit dhe nuk do të lejojmë kthimin e regjimit

SHKUP, 29 dhjetor /ATSH-MIA/ – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se nuk do të kishte ndryshim të pushtetit në zgjedhjet e paralajmëruara më 12 prill, sepse ai nuk do të lejonte kthimin e regjimit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski theksoi se partia e tij nuk duhet të zhvillojë asnjë fushate të posaçme negative, pasi sipas tij pushteti po zhvillon një fushatë të tillë çdo ditë me veprimet e tij, ndërkohë që lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nënvizoi se gara politike do të duhet të zhvillohet në drejtim të përmirësimit të jetës së përditshme të njerëzve.

Liderët e tre partive, të cilët po zhvillojnë bisedime rreth formimit të qeverisë teknike, që duhet të formohet më 3 janar, folën për disa tema, mes të cilave edhe për pritshmëritë  e tyre nga zgjedhjet e ardhshme, që ato duhet të jenë demokratike.

“Fillimisht, ndryshim të pushtetit nuk do të ketë. Kur e them këtë, nuk e them nga pozita e shqetësimit partiak të fitojmë edhe katër vite. E them sepse kam përgjegjësi të plotë, të mos lejoj kthimin e regjimit”, theksoi Zaev.

“Kuptohet, qytetarët në zgjedhje të lira do të sjellin vendim, por unë do të luftoj dhe do të angazhohem të tregoj në mënyrë më të vendosur, më ilustrative, më dramatike se çfarë do të ndodhte nëse kthehet regjimi”, shtoi ai.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, i cili zhvilloi dje takime të ndara edhe me kryeministrin, Zaev dhe me liderin e BDI-së, Ahmetin rreth zgjidhjeve për qeverinë teknike, theksoi se VMRO-DPMNE nuk duhet të zhvillojë fushatë të posaçme negative për zgjedhjet e ardhshme, sepse një fushatë e tillë po zhvillohet nga pushteti çdo ditë me aferat e reja.

Për kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, shoqëria e Maqedonisë së Veriut duhet të konsolidohet dhe duhet ta tejkalojë atë që ndodhi para tre-katër viteve që mos të përsëritet kurrë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.