Ligji për simbolet kombëtare në Malin e Zi, Ruçi: Mirënjohje kolegut Brajoviç dhe partive shqiptare

TIRANE, 29 dhjetor/ATSH/- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përshëndeti miratimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare nga Kuvendi i Malit të  Zi.

Ligji i sapo miratuar u garanton njësive administrative  ku shqiptarët përbëjnë 5 përqind të popullsisë të drejtën  e përdorimit të flamurit kombëtar me rastin e festës kombëtare.

“Përdorimi i simboleve kombëtare është një e drejtë thelbësore etnike dhe politike në demokracinë liberale. Me miratimin e këtij ligji, fqinji dhe partneri  ynë, Mali i Zi, shënon një hap domethënës drejt konsolidimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve, përfshirë pakicat etnike, në një shoqëri multietnike. I shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time kolegut Brajoviç dhe deputetëve të Kuvendit që votuan këtë ligji”, shprehet kryeparlamentari Ruçi.

Një përgëzim të veçantë, thekson ai, meritojnë partitë shqiptare dhe deputetët shqiptarë për përpjekjet e tyre për miratimin e këtij ligji.

Kjo është një provë tjetër e kontributit të shqiptarëve si një faktor paqeje, stabiliteti dhe kohezioni në rajon”, shprehet  Kryetari i Kuvendit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.