“Rindërtimi pas tërmetit”, Ndreu: Rialokime fondesh në buxhet, me daljen e aktit normativ

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu i ktheu sot përgjigje të gjithë atyre që shprehën shqetësimin për mosparashikimin në buxhetin e bashkisë Lezhë për vitin 2020, të fondit të Rindërtimit.

Ndreu sqaroi se “qeveria ka ngritur një ministri Rindërtimi dhe aktin normativ që nuk ka hyrë në fuqi akoma për mënyrën e të vepruarit hap pas hapi”.

“Bashkia nuk ka akoma vlerësim real të faturës së dëmeve që të planizojë fonde. Me të dalë vlerësimi i plotë i faturës financiare, ne do të bëjmë rialokimet e fondeve sipas kapaciteteve financiare që kemi”, tha Ndreu.

Ai theksoi se bashkia Lezhë nuk bën parashikim fondesh pa vlerësim real të situatës. “Show pa gjëra konkrete e në zbatim të ligjit nuk është pjesë e punës tonë. Me të dalë akti normativ i qeverisë do të bëjmë të gjitha përshtatjet dhe rialokimet e nevojshme të fondeve sipas ligjit”, tha Ndreu.

Bashkia Lezhë, sipas tij, “është e vetmja që me negociatat e veta ka siguruar nga donatorë ndërtimin e 30 apartamenteve (2 pallateve) me vlerë 800 mijë dollarë”.

“Çdo tentativë për të fituar kredo publike gjoja jam/jemi të “shqetësuar” është e neveritshme nga çdo drejtim i ndotur nga vjen, këshilltar protogonist, media, apo pushtetar përfitues. Bashkia Lezhë është konform të gjithë hapave ligjore dhe pret me padurim saktësimin e procedurave që rrjedhin nga akti normativ i qeverisë për të vepruar më tej. Të tjerat jane dokrra hinit, por që s’na hyjnë fare në punë”, tha Ndreu./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.