Rikonstruksioni i rrugës Grekan–Shelgu–Gjyralë, impakt pozitiv në zhvillimin e ekonomisë bujqësore

TIRANE, 27 dhjetor/ATSH/- Fondi Shqiptar i Zhvillimit po vijon punën për ndërtimin e aksit rrugor Grekan–Shelgu–Gjyralë, ndërhyrje e cila do të përmbyllë një zinxhir investimesh të kryera në zonën e Dumresë vitet e fundit, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore.

Rruga do të lidhë fshatin Grekan të bashkisë Belsh me fshatin Gjyrale të bashkisë Cërrik.

Përmirësimi i infrastrukturës mes dy njësive të qeverisjes lokale pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë bujqësore, si dhe aksesin në shërbimet bazë, favorizuar dhe nga fakti se shtrihet në një zonë me densitet të lartë të biznesit dhe prodhimit bujqësor e agropërpunues.

Projekti parashikon rikonstruksionin e rrugës në gjatësi 4.6 km, 18,460 m2 asfalt, si dhe ndërtimin e mureve mbajtëse e pritëse me gabiona, tombino dhe zgjerim të urave ekzistuese.

Me financim të qeverisë shqiptare, ky aks do të nxisë rritjen e zhvillimit ekonomik të banorëve, duke rritur mundësitë e reja për investime në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.

Rreth 33 107 banorë të kësaj zone do të jenë përfitues direkt në përmirësimin e kushteve të jetesës, përmes rritjes së ekonomive familjare e rrjedhimisht dhe asaj lokale./a.gjonaj/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.