Prokurorët e SPAK/ PD reagon ndaj KLP: Përpjekje për të mashtruar qytetarët

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ -Partia Demokratike reagon ndaj deklaratës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë në lidhje me përzgjedhjen e prokurorëve  të SPAK

Me anë të një deklarate për shtyp, PD shprehet se, “dënon përpjekjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të mashtruar qytetarët dhe për të devijuar arsyen e vërtetë të shqetësimit të opinionit publik mbi të kaluarën si hetues politik i diktaturës për Drejtuesin e SPAK dhe për takimin e pajustifikuar të një anëtari të SPAK-ut me Ulsi Manjën e PS”.

PD thekson se, “reagime të tilla të dënueshme janë të pritshme nga një organ si KLP, që është nën drejtimin e militantit të PS, Gent Ibrahimi dhe me shumicën e anëtarëve të kontrolluar nga pushteti dhe të zgjedhur në mënyrë të paligjshme”.

“Prokurorët e SPAK kanë kaluar të njëjtin proces të vetingut, siç kanë kaluar me dhjetëra prokurorë e gjyqtarë të tjerë. Në thelb, kjo është një përpjekje e KLP-së për të mashtruar qytetarët me teknikalitete të panjohura për ta,  në një kohë kur sondazhet tregojnë rënie të besimit të opinionit publik tek vetingu”, nënvizon PD.

PD shton se, “KLP kishte detyrimin të informonte opinionin publik, nëse Arben Kraja, Drejtues i SPAK, ka qenë apo jo hetues i regjimit gjakatar komunist përpara viteve 1990 në gjyqe politike? KLP duhet të mbante qëndrim, nëse për të është e pranueshme që në vitin 2020 drejtësia e re të bëhet me hetues të regjimit komunist. Kjo është njësoj sikur drejtësinë në Gjermani ta jepte një prokuror që i shërbeu Hitlerit deri në momentet e fundit para dorëzimit të Berlinit”.

PD thekson se, “KLP ka detyrimin të informojë opinionin publik, nëse Altin Dumani, prokuror i SPAK, është apo jo personi në foto, i raportuar nga media që një ditë përpara se KLP e partisë të votonte Drejtuesin e SPAK, kërkonte mbështetjen e përfaqësuesit të Partisë Socialiste Ulsi Manja. Drejtësia nuk mund të bëhet me shërbëtorë të rinj të partisë së vjetër në pushtet.   Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet t’i shpjegojë opinionit publik se përse alternativa e tij e vetme është të ofrojë vetëm drejtësinë që i duhet PS”.

“Shqipëria ka kapacitete për të ofruar një drejtësi normale, pa lidhje me politikën, pa lidhje me komunizimin, pa lidhje me Qeverinë. Shqipëria ka juristë, prokurorë e gjyqtarë të kualifikuar dhe me integritet, që mund t’i shërbejnë vendit në organet e reja të sistemit të drejtësisë. Problemi është se këtë drejtësi nuk e do Edi Rama. Edi Rama nuk ka ndërmend të lejojë ndërtimin e një drejtësie më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris”, shton PD.

“Partia Demokratike kërkon që, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eliminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në  dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshmëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK. Mbi interesin personal dhe politik, në këtë moment, duhet të prevalojë, nevoja për të ruajtur të paprekur imazhin, integritetin dhe besimin tek SPAK”, përfundon deklarata e PD.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.