Marrëveshja hidrokarbure me ENI-n, për herë të parë katërfishohet fitimi për fuçi i shtetit shqiptar

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi pak ditë më parë marrëveshjen për kërkim–prodhim hidrokarburesh në bllokun Dumreja, me kompaninë e njohur italiane ENI.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një intervistë në një nga mediet në vend vlerësoi negociatat profesionale të bëra për të arritur deri në fazën finale të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, e cila sipas asaj vendos një standard të ri cilësor në sektorin e hidrokarbureve.

Sipas saj, për herë të parë në një marrëveshje hidrokarbure rritet me katër fish fitimi për fuçi i shtetit shqiptar.

“Kontrata me kompaninë ENI aplikon faktorin R që është fitimi në 4% ndërkohë që deri sot në të gjitha kontratat e mëparshme faktori R ishte 1%. Kjo do të thotë se shteti shqiptar që në fuçinë e parë të prodhimit ka fitim 4%, nga 1% që ishte më parë”, deklaroi ministrja Balluku.

Kompania ENI, një ndër 11 kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e hidrokarbureve me kapital 68 miliardë euro kohën e dorëzimit të pusit e ka 2 vite e katër muaj nga 5 vite që e kanë praktikë kompanitë hidrokarbure që operojnë në këtë fushë.

“Kemi rënë dakord që puset të hapen menjëherë sapo të jenë gati për prodhim pasi jemi të interesuar të fillojmë të injektojmë këtë pozitivitet në ekonomi”, – deklaroi Balluku.

Blloku i Dumresë, në qarkun e Elbasanit, është vlerësuar si një zonë me potencial shumë të mirë hidrokarburesh të lëngshme me një shtrirje prej 587 Km2. Kompania ENI ka fituar të drejtën për të investuar në këtë zonë, pas një gare ndërkombëtare të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

Aktualisht si rezultat i operacioneve hidrokarbure të kryera nga kompanitë e huaja në vendburimet e naftës dhe të gazit në vendin tonë, parashikohet që për vitin 2019 prodhimi të arrijë në rreth 1 milion tonë naftë bruto./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.