INDI – Vazhdojnë manifestimet kundër ligjit mbi shtetësinë

LUCKNOW, 27 dhjetor /ATSH-AFP/ – Manifestime të tjera kundër ligjit mbi shtetësinë, parë si anti-mysliman, janë zhvilluar edhe sot në Indi, ku autoritetet kanë ndërprerë aksesin në internet në disa vende dhe kanë vendosur mijëra policë.

Mbështetësit e ligjit kanë organizuar gjithashtu një kundërmanifestim në Bombay, kryeqyteti ekonomik, duke ilustruar ndarjet e thella që ka sjellë ky ligj.

Qindra persona kanë filluar të mblidhen para xhamisë së madhe të Nju Delhit pas faljes të së premtes, në këtë lagje të vjetër të kryeqytetit të rrethuar nga forcat e policisë.

Policët anti-përpjeshjeve dhe paraushtarakët kanë ngritur barrikada në rrugët që të çojnë në xhami, ku përplasje të dhunshme shpërthyen gjatë manifestimeve të mëparshme.

Por, protestuesit shprehen të vendosur për të vazhduar derisa qeveria nacionaliste e Narendra Modi të tërheqë ligjin e kundërshtuar./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.